Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke e vlerësuar si shqetësuese situatën në vend, duke marrë parasysh dimrin e vështirë që po vjen.
“Çmimet e produkteve esenciale, çmimi i rrymës, inflacioni, radhët e pritjeve për vizë në Ambasada”, ka përmendur nënkryetarja e PDK-së si problemet me të cilat përballen qytetarët e Kosovës.
Vlora Çitaku ka theksuar se përderisa qeveritë e vendeve në rajon kanë ndërmarrë masa për të ndihmuar qytetarët, “kryeministri Kurti ka vendosur të mundohet të na bindë me fjalë se punët nuk i kemi pasur kurrë më mirë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Nënkryetarja e PDK-së ka theksuar se fjalimet kryejnë punë në opozitë, ndërsa në Qeveri duhen vepra.