Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje për reflektim Lëvizjes Vetëvendosje për zhbllokimin e situatës në Kuvend.
Pas dështimit të konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit, para mediave Çitaku ka thënë se bllokimi i votimit në Kuvend po ndodh për shkak të kryeneçësisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Sot do të duhej të ishim në seancë për të shkarkuar Bordin e ZRRE-së dhe së dyti për t’i dhënë vendit një qeveri që do punonte për të adresuar sfidat e shumta. Fatkeqësisht për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe insistimit të tij për të legjitimuar presionin politik si instrument ne kemi mbetur këtu ku jemi. Nuk votohet me diktat. Sot kemi ngërç politik artificial”.
Ndryshe, për të gjashtëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët nuk votuan për formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.
Votimi i fshehtë është propozuar më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime të hapura nuk mori 61 votat e nevojshme që të zgjidhet në këtë post.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me mbështetjen e deputetëve nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Ata argumentojnë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po teton që kryetari i ri i organit ligjvënës të zgjidhet me votim të fshehtë, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të marrë një “masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Në vazhdimin e seancës konstituive më 31 maj, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, AAK-ja dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozonin një emër për formimin e komisionit, duke bërë që seanca të ndërpritej.
Seanca do të vazhdojë pas 48 orësh, përkatësisht të hënën.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Deri tani, deputetët kanë kaluar dy pika të agjendës: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
PDK-ja dhe AAK-ja e shohin Haxhiun si figurë përçarëse dhe kanë kërkuar që të propozohet dikush tjetër, ndërkaq LDK-ja ka thënë se nuk do të votojë asnjë kandidat për këtë post të propozuar nga LVV-ja.