Daka: Kosova ka humbur gati dy vite në pritje të zgjedhjeve, VV po blen kohë

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e ka cilësuar si të paarsyeshme vonesën në proceset politike për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Daka ka thënë se vendi ka humbur shumë kohë për shkak të përsëritjes së proceseve zgjedhore dhe zvarritjes së marrëveshjeve politike.

“Gjithsesi është e paarsyeshme kjo vonesë, sepse Kosova i ka humbur gati dy vite në këto pritje dhe zgjedhje që janë duke u përsëritur vazhdimisht. Natyrisht, çdo ditë është e vlefshme për Kosovën”, ka deklaruar Daka.

Ajo ka komentuar edhe afatin e dhënë nga U.D Albulena Haxhiu, për dialogim mes partive politike, duke thënë se deri tani nuk është parë ndonjë përparim apo afrim i qëndrimeve.

“Pavarësisht se z. Haxhiu deklaroi se u ka dhënë kohë partive politike për dialogim, nuk po shohim ndonjë dialog apo përfundim të ndonjë marrëveshjeje”, është shprehur ajo.

Sipas Dakës, deklaratat e partive politike nuk tregojnë gatishmëri për bashkëpunim, duke përmendur qëndrimet e LDK-së dhe PDK-së ndaj mundësisë së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nuk shoh ndonjë arsye pse është dhënë kjo kohë, përveç faktit që VV-ja po blen kohë”, ka thënë Daka.

Ajo ka vlerësuar se zvarritja e procesit politik po e dëmton funksionimin institucional dhe interesat e vendit.

Daka ka komentuar edhe qëndrimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndaj mundësisë së bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se afrimi mes dy subjekteve politike ka qenë i madh dhe se ka ekzistuar mundësia për një marrëveshje koalicioni.

Sipas saj, Abdixhiku nuk mund të llogarisë në mbështetjen e të gjitha votave brenda LDK-së për një marrëveshje me VV-në, pasi disa deputetë kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesnin një koalicion të tillë. Daka vlerëson se tashmë mbetet të shihet edhe rezultati i Kuvendit të LDK-së dhe vendimet që do të merren pas tij.

Daka ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po e shfrytëzon këtë periudhë për të pritur zhvillimet politike, veçanërisht ato brenda LDK-së, si dhe ndonjë lëvizje të mundshme nga partitë e tjera.

“Po blen kohën se çka do të ndodhë me zhvillimet brenda LDK-së. Pret ndoshta ndonjë lëvizje brenda PDK-së, pavarësisht që nuk ka ndodhur asnjë sinjal se ka ndonjë afrim apo marrëveshje”, ka thënë Daka.

Ajo ka vlerësuar se Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së mund të ndikojë në zhvillimet e ardhshme politike, duke thënë se mund të kërkohet një përgjegjës për një dështim të mundshëm të marrëveshjes.

“Presin Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, për dobësimin e saj dhe për të gjetur një fajtor që për shkak të LDK-së do të shkojmë përsëri në zgjedhje. Po, do të shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Daka.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika