Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj Atdhe Musliut dhe Labinot Bajramit për vrasjen e A.H., që kishte ndodhur në shkurt të vitit 2023 në Fushë-Kosovë.
Musliu u dënua me dënim unik prej 16 vjet e 8 muaj burg, ndërsa Bajrami u dënua me 11 vjet burgim, pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë të arritur mes Prokurorisë dhe të akuzuarve.
Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Gent Beka, me anëtarë gjyqtarët Medie Bytyqi dhe Agim Kuçi. Të dy të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, ndërsa Musliu u shpall fajtor edhe për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”, shkruan Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur më 12 shkurt 2023 në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, pas një konflikti të çastit midis të akuzuarve dhe viktimës A.H.
Bajrami e kishte sulmuar i pari viktimën me grushte, shqelma dhe mjete të forta. Viktima kishte tentuar të ikte, por ishte ndjekur nga të dy të akuzuarit. Musliu, me qëllim për ta privuar nga jeta, e goditi A.H. me thikë në anën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar vdekjen. Thika e përdorur u konfiskua gjatë procedurës dhe shërbeu si provë në akuzën për armëmbajtje pa leje.