Deputetja e PDK-së, Arbnora Salihu ka kritikuar ashpër kabinetin qeveritar, duke thënë se ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, është i rrethuar nga figura që, sipas saj, kanë qëndrime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo deklaroi se ministri e ka të vështirë të funksionojë në këto rrethana, duke përmendur disa emra të zyrtarëve qeveritarë dhe duke i akuzuar për qëndrime dhe veprime që, sipas saj, dëmtojnë luftën e UÇK-së.
“Ministri e ka të vështirë se është i rrethuar nga Donika Gërvalla, Ministër, e kam shumë të vështirë se gjithashtu është i rrethum me Hekuran Muratin, që ka deklaruar publikisht që lufta në Kosovë kish me i dalë buxhetit të Kosovës shumë ma lirë nëse kish pagu mercenarë, se pagat për veteranë e invalidë po i kushtojnë shumë shtetit. E di që ministri e ka shumë të vështirë edhe nuk e ka aspak lehtë, sepse është i rrethum me Dimal Bashën bashkëautori i mbiunimeve, i cili shpif për UÇK-në. E di që nuk e ka shumë të lehtë me punu në këtë drejtim se është i rrethum me Mimoza Kusari Lilën”, tha ajo.
Ajo shtoi se ministri përballet me vështirësi edhe për shkak të, siç tha, deklaratave dhe veprimeve të figurave të tjera të qeverisë.
“E di që ministri e ka shumë të vështirë me funksionu dhe me punu se është i rrethum me Mimoza Kusari Lilën, e cila kemi të faktume, janë përgjime, e ka pranu edhe vetë për fjalët e saj ku kordinoi me Millan Radoiçiqin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E di që e ke të vështirë se je i rrethum edhe me Albulena Haxhiun e cila i ka fyer e u mundu, se me i nënçmu s’mundet po u mundu me i nënçmu krerët e UÇK-së. E di që e ke vështirë se e ke pasë Albin Kurtin i cili përveç që e ka gjuajtur edhe Policinë e Kosovës me gurë, i ka gjuajtur e i ka kallë institucionet e Kosovës”, tha ajo.
Pas këtyre deklaratave, në mbledhje pati përplasje mes deputetes dhe kryetares së Komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila kërkoi ndërprerjen e kësaj forme adresimi.
“E mënyra është shumë e padrejtë edhe s’është në rregull. Këtu kisha lutë ndërprerjen me apostrofimin e ministrave me rend. Merre fjalën drejtoju ministrit prezent. Nëse do prej kabinetit qeveritar me t’i qitë përballë, shko në secili komision kur janë prezent ministrat, drejtoju. Jo kështu, nuk o korrekt nga ana jote. Nuk o korrekt.
E ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se me reagimin e tij ka bërë që të reagoj komuna e Prishtinës si dhe prokuroria./EO