Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Graçanicë, Prishtinë dhe Vushtrri.
Sipas policisë, në Graçanicë më 14 mars rreth orës 21:00 është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, pasi që dyshohet se, nën ndikimin e alkoolit, ka shqetësuar dhe kanosur viktimat.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Prishtinë më 15 mars rreth orës 14:30, një i dyshuar është shoqëruar fillimisht për intervistim, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.
Pas intervistimit ai është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Rasti i tretë është raportuar në Vushtrri më 15 mars rreth orës 18:00.
Policia ka njoftuar se një burrë është arrestuar pasi që, pas një mosmarrëveshjeje, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.
Viktimës i është lëshuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.