Djali i presidentit të Iranit, Yousef Pezeshkian, ka kërkuar nga autoritetet që të heqin kufizimet ndaj internetit, të vendosura pas protestave që u shtypën me dhunë nga regjimi. Ai ka deklaruar se mbyllja e internetit nuk zgjidh asgjë, por vetëm e shtyn përballjen me realitetin.
Në një postim në Telegram, Pezeshkian – i cili është edhe këshilltar qeveritar – tha se vazhdimi i bllokadës digjitale do të rrisë pakënaqësinë dhe do të thellojë hendekun mes qytetarëve dhe qeverisë.
“Kjo do të thotë se edhe ata që nuk ishin të pakënaqur do t’i shtohen listës së të pakënaqurve. Publikimi i pamjeve dhe videove të dhunës është diçka me të cilën do të përballemi herët a vonë. Mbyllja e internetit nuk zgjidh asgjë, vetëm e vonon problemin,” shkroi ai.
Kufizimet e pjesshme të internetit po lejojnë gradualisht publikimin e pamjeve që dokumentojnë dhunën gjatë protestave dhe numrin e viktimave, përfshirë edhe fëmijë. Sipas organizatës joqeveritare “Iran Human Rights”, me seli në Norvegji, numri i të vrarëve mund të arrijë deri në 25 mijë, ndërsa mijëra persona vazhdojnë të mbahen të ndaluar.
Drejtori i spitalit oftalmologjik Farabi në Teheran, Dr. Ghasem Fakhraei, ka deklaruar se mbi 1.000 persona janë operuar për urgjenca në sy pas protestave, ndërsa repartet spitalore kanë qenë të mbingarkuara.
Ndërkohë, kleriku i njohur sunit Molavi Abdolhamid, nga qyteti Zahedan, e ka cilësuar vrasjen e protestuesve gjatë muajit janar si një “masakër të organizuar”.
Yousef Pezeshkian tha se rreziku i mbajtjes së Iranit të izoluar nga interneti është më i madh sesa rreziku i rifillimit të protestave nëse lidhja rikthehet. Sipas tij, institucionet e sigurisë duhet të garantojnë rendin edhe në kushtet e funksionimit normal të internetit, të cilin ai e quajti një domosdoshmëri për jetën.
Ai përsëriti qëndrimin e presidentit Masoud Pezeshkian se protestat u bënë të dhunshme për shkak të grupeve të trajnuara profesionalisht dhe të lidhura me faktorë të huaj, por pranoi se edhe forcat e sigurisë mund të kenë bërë gabime.
“Askush nuk do ta mbrojë keqbërjen dhe kjo duhet të trajtohet,” tha ai, raporton The Guardian.
Në Iran po raportohet hapur për përplasje brenda qeverisë lidhur me lehtësimin e kufizimeve të internetit. Presidenti dhe ministri i Komunikimeve, Sattar Hashemi, mbështesin rikthimin e plotë të lidhjes, ndërsa Ali Larijani, kreu i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, e kundërshton këtë hap.