Doganieri deklarohet i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare, tre të akuzuarit tjerë arrijnë marrëveshje për pranim fajësie

I akuzuari Milan Niqiq u deklarua i pafajshëm në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërkaq, të akuzuarit për kontrabandim me mallra: Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler, kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Niqiq akuzohet se në cilësinë e doganierit në Aeroportin e Prishtinës lejoi tre të akuzuarit Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler të kalojnë pa kontroll në shirtin e kontrollës, e të cilët po bartnin me vete valixhe me barna të kontrabanduara në vlerë rreth 150 mijë euro. Tre të akuzuarit më pas u ndaluan nga Policia e Kosovës, ku edhe iu gjetën barnat e kontrabanduara.

Lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë, prokurori i rastit Besnik Jakupi tha se marrëveshja e arritur është në përputhje me dispozitat ligjore.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kujtim Fetoshi, avokati Fadil Jashari tha se qëndrojnë pranë marrëveshjes së arritur me Prokurorinë dhe propozoi që të aprovohet nga ana e Gjykatës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Abdullah Zeki Zerenler, avokati Shpend Lushaku tha se marrëveshja e arritur është në pajtim me dispozitat ligjore të KPRK-së.

Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Atakan Zerenler, avokati Naim Rudari propozoi që kjo marrëveshje të aprovohet pasi që është në pajtim me dispozitat ligjore.

Më pas, gjykatësi i rastit, Alban Ajvazi ka aprovuar marrëveshjen e arritur. Ndërsa, dënimi i propozuar sipas marrëveshjes, nuk u bë i ditur gjatë seancës.

Më pastaj, i akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Milan Niqiq u deklarua i pafajshëm pas leximit të aktakuzës nga prokurori Jakupi.

Gjykatësi Ajvazi njoftoi të akuzuarin Niqiq dhe mbrojtësin e tij, avokatin Besim Curri se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin ankesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Prokurori propozoi që ndaj të akuzuarit Niqiq të veçohet procedura penale, meqenëse tre të akuzuarit tjerë kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Andaj, procedura ndaj Niqiq u veçua.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 26 gusht 2025, Milan Niqiq në cilësinë e doganierit në Doganën e Kosovës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke vepruar me dashje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore të tani të akuzuarve Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler, nuk i përmbush detyrat e tij si person zyrtar, ashtu që më 2 maj 2025 derisa ishte në vendin e tij të punës në shiritin hyrës tek kontrolla dhe verifikimi në Aeroportin e Prishtinës, nuk i ka ndaluar për kontroll të akuzuarit Fetoshi, Zeki Zerenler dhe Zerenler, të cilët vinin nga shteti i Turqisë e që kishin me vete 7 valixhe të mëdha dhe 3 valixhe të vogla, e që më pastaj kur janë ndaluar nga Policia e Kosovës në pikë kontrolli ka rezultuar se të gjitha valixhet ishin të mbushura me barna të kontrabanduara pa banderola, vlera e të cilave, sipas inspektorëve faramceutik ishte rreth 150 mijë euro.

Me këtë, Niqiq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par.1 lidhur me par.2 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerelner dhe Atakan Zerelner, më 2 maj 2025, duke vepruar bashkëkryerje, duke kaluar vijën kufitare bartin mallra dhe shmangin kontrollin doganor, kryejnë barjten e mallrave dhe kalojnë vijën kufitare.

Aktakuza thotë se të akuzuarit pas marrvëeshjes paraprake kishin ardhur nga shteti i Turqisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ku me vete kishin pasur valixhe të mbushura me produkte medicinale, duke kaluar pikën e kontrollit në Aeroportin e Prishtinës pa i deklaruar, ashtu që Policia e Kosovës, në fshatin Sllatinë ka ndaluar dy vetura me targa vendore, ku në veturën “Taxi” të tipit Audi A6, të cilën e drejtonte R.K., janë hasur disa valixhe të cilët kanë qenë të mbushura me barna të ndryshme, ndërsa në veturën tjetër të tipit “Touran” në të cilën ka qenë tre të akuzuarit, janë gjetur një sasi tjetër e barnave të ndryshme të vendosura në valixhe, për të cilat të akuzuarit nuk kanë pasur dokumentacione të nevojshme për transportimin e tyre dhe të njëjtat kanë qenë pa banderola, gjë që dokumentacioni që dëshmon cilësinë dhe prejardhjen e tyre është obligim për futje të barnave në Republikën e Kosovës.

Me këtë, në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311, par.3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Të fundit nga rubrika