Dokumenti që shpjegon një nga një pasojat dhe përfitimet e një marrëveshje Kurti-Vuçiq

Një shkresë “non-paper” 3-faqesh, që përmban “qortime serioze” rreth Marrëveshjes, sipas Planit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tash e disa javë qarkullon në zyrat diplomatike të akredituara në Prishtinë dhe Beograd, sikurse në institucionet e larta shtetërore të të dy vendeve.

I pakonfirmuar ende për media autenticiteti i tij, dokumenti që ndonëse nuk përmban ndonjë vulë apo ndonjë referim të saktë të hartuesve të saj, shihet dhe paraqitet si dokument i sponsorizuarve kryesorë të planit të BE, nga ana e atyre që e kanë parë dhe pranuar gjatë kësaj kohe.

Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar të plotë dokumentin në fjalë, i përfolur së fundi në publik dhe studio televizive, ndërkohë që ka filluar numërimi i orëve mbrapshtë të takimit të radhës Kurti-Vuciq – i ndërmjetësuar në Ohër nga Jesep Borrell – që është i thirru të zhvillohet të shtunën e 18 marsit.

Dokumenti përkufizon kompromiset e marrëveshjes Kosovë-Serbi, sipas planit të BE’së, benifitet në rastin e nënshkrimit, dhe pasojat në rastin e refuzimit nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuciq.

“Pranimi nga Kosova do të shënojë fillimin e shkëputjes së Kosovës nga krizat, një mundësi e mirëfilltë për t’u fokusuar në zhvillimin substancial socio-ekonomik. Kosova më në fund do të jetë në gjendje të zhvillohet vetë”, është elementi nxitës i arritjes së një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që e përkufizon ky dokument.

“Marrëveshja Themelore ofron një proces normalizimi me nxitës të qartë dhe të besueshëm ekonomikë, financiarë dhe politikë. Pranimi nga Serbia do ta nisë partneritetin e fortë strategjik të Serbisë me komunitetin perëndimor. Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë shtytëse kryesore rajonale ekonomike dhe politike. Ajo gjithashtu do ta afrojë Serbinë me komunitetin serb të Kosovës”.

Pranimi i planit të BE’së, sipas këtij non-paper, për Kosovën dhe Serbinë do të thotë pranim për harmonizimin e qëndrimeve me BE’në.

Refuzimi, ka pasoja, shpengon dokumenti. Pezullimi i rrugës së integrimit në BE, si dhe hudhja poshtë e të gjitha proceseve dhe përfitimeve tjera të lidhura më marrëveshjen, janë të parat “sanksione” që mund t’i kenë të dy vendet në rast se refuzojnë pajtimin sipas planit evropian që e mbështetë edhe SHBA’ja – plani që vitin e shkuar nisi si plan franko-gjerman.

“Izolimi dhe trazirat e brendshme do të pasojë në vijim”, parasheh shkresa tre-faqesh e siguruar nga gazeta online Reporteri.net.

“Refuzimi i Kosovës që ta bëjë këtë mund të rezultojë në pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Të zhgënjyer, partnerët perëndimorë s’do të kenë motiv për ta përkrahur zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës. Pa këtë përkrahje thelbësore, Kosova mund të vërejë përmbysje të progresit në disa fusha”, thotë shkresa.

“Dështimi i Serbisë që t’i harmonizojë qëndrimet e saj me shtetet e BE-së do t’ia japë Kosovës mundësinë që të zhvillohet pa pasur nevojë të punojë me Beogradin. Serbia nuk ka ‘veto’ në bashkësinë BE/NATO. Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia gjithashtu do t’i humbasë pesë shtetet mosnjohëse. Pavarësisht rezultatit, BE/NATO eventualisht do të flasë vetëm me një zë për Kosovën”.

Dokumenti parasheh edhe “obligimet” që do t’i marrë BE-ja në raport me të dy shtetet, nëse ato arrijnë marrëveshjen.

“Për të shmangur gabimet e saj në të kaluarën, BE-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit perëndimor do të mbështesin në mënyrë aktive të dyja palët financiarisht, ekonomikisht dhe politikisht në çdo hap të rrugës”.

Përkthimi i dokumentit:

SRB/KOS-VËREJTJE KRITIKE (qortime serioze)

Procesi i normalizimit Kosovë-Serbi, parimet themelore:

– Kornizë për të lehtësuar marrëdhëniet paqësore dhe bashkëjetesën, pavarësisht dallimeve thelbësore mes të dy palëve.

– Kornizë stabile dhe të besueshme e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE, bashkë me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor (BB6)

– Proces i mbështetur nga të 27 vendet anëtare të BE-së, përfshirë shtetet mosnjohëse. Dy kryediplomatë të aftë nga vendet anëtare mosnjohëse të BE-së, Spanja dhe Sllovakia, menaxhojnë procesin e normalizimit, kështu për të garantuar drejtësi.

Teksti përfundimtar i Marrëveshjes është produkt i një analize gjithëpërfshirëse dhe të plotë të të gjitha përvojave të kaluara dhe të tashme. Është një produkt unik politik, një kompromis real i brendshëm i BE-së, i pranueshëm për shtetet anëtare njohëse dhe mosnjohëse.

Marrëveshja Themelore e mbështetur nga BE, elementet kryesore:

Respekton vijat e kuqe të të dy palëve
– Për të respektuar vijën e kuqe të Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, Kosova bën një hap prapa në këmbënguljen e saj për një normalizim të përqendruar vetëm në njohjen reciproke. Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova zotohet të punojë me Serbinë për zgjidhjen e nevojave praktike të të gjithë njerëzve dhe komuniteteve.
– Serbia bën një hap prapa për të respektuar vijën e kuqe të Kosovës për të mos negociuar pavarësinë e saj dhe zotohet për marrëdhënie të plota praktike me Kosovën. Në vend që të luftojë për Kosovën, Serbia zotohet të punojë me komunitetin ndërkombëtar në mënyrë që të përfitojnë të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Angazhim ndaj paqes rajonale dhe vlerave të BE-së
– Kosova dhe Serbia zotohen për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve.
– Serbia përmbahet nga çdo veprim që konsiderohet si armiqësi diplomatike ndaj Kosovës.
– Kosova angazhohet për një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb të Kosovës në përputhje me vlerat e BE-së dhe praktikat më të mira ekzistuese.

Detyra e BE-së që të kujdeset për BB6
– Marrëveshja Themelore nuk do të rregullojë vetëm marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Krahas kritereve të Kopenhagës, Marrëveshja Themelore do të menaxhojë edhe procesin e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.
– Për të shmangur gabimet e saj në të kaluarën, BE-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit perëndimor do të mbështesin në mënyrë aktive të dyja palët financiarisht, ekonomikisht dhe politikisht në çdo hap të rrugës.
– Përmes Procesit të Berlinit dhe Komunitetit Politik Evropian, BE-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit perëndimor do të ofrojnë një kornizë të besueshme të integrimit në BE për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të BB6.

Nxitësit:
Marrëveshja Themelore ofron një proces normalizimi me nxitës të qartë dhe të besueshëm ekonomikë, financiarë dhe politikë. Pranimi nga Serbia do ta nisë partneritetin e fortë strategjik të Serbisë me komunitetin perëndimor. Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë shtytëse kryesore rajonale ekonomike dhe politike. Ajo gjithashtu do ta afrojë Serbinë me komunitetin serb të Kosovës.
Pranimi nga Kosova do të shënojë fillimin e shkëputjes së Kosovës nga krizat, një mundësi e mirëfilltë për t’u fokusuar në zhvillimin substancial socio-ekonomik. Kosova më në fund do të jetë në gjendje të zhvillohet vetë.

Çka rrezikohet:
Në një kohë kur Rusia teston vendosmërinë perëndimore në Ukrainë, në një kohë kur Kina arrin të ndërmjetësojë një marrëveshje historike midis Arabisë Saudite dhe Iranit, duke u imponuar fuqishëm si një lojtar botëror i aftë për të ofruar çkado, komuniteti perëndimor nuk e ka luksin të dështojë në Ballkanin Perëndimor, oborri i origjinës së BE-së dhe NATO-s.
Kompromisi është një vlerë primare e kulturës politike dhe vendimmarrjes së BE-së. Marrëveshja Themelore është një kompromis real i brendshëm i BE-së i pranueshëm për shtetet anëtare njohëse dhe mosnjohëse. Edhe Kosova dhe Serbia duhet ta përqafojnë atë.

Bashkësia e BE-së ia limiton opsionet Kosovës dhe Serbisë:
1. Pranojnë Marrëveshjen dhe harmonizojnë qëndrimet e tyre me BE-në.
2. Refuzojnë marrëveshjen. Pezullojnë rrugën e integrimit në BE dhe hedhin poshtë të gjitha proceset dhe përfitimet e lidhura [me marrëveshjen]. Izolimi dhe trazirat e brendshme do të pasojë në vijim.

Kosova dhe Serbia mund të vazhdojnë t’i shijojnë përfitimet e marrëveshjeve ekzistuese me BE-në dhe pjesën tjetër të komunitetit perëndimor vetëm nëse përkushtohen plotësisht në të qënit lojtarë konstruktivë në përpjekjet e BE-së dhe Perëndimit për ndërtim të paqes dhe stabilitetit. Nuk ka rrugë tjetër.

Dështimi i Serbisë që t’i harmonizojë qëndrimet e saj me shtetet e BE-së do t’ia japë Kosovës mundësinë që të zhvillohet pa pasur nevojë të punojë me Beogradin. Serbia nuk ka ‘veto’ në bashkësinë BE/NATO. Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia gjithashtu do t’i humbasë pesë shtetet mosnjohëse. Pavarësisht rezultatit, BE/NATO eventualisht do të flasë vetëm me një zë për Kosovën.

Kosova duhet plotësisht t’i përmbushë pritjet e komunitetit perëndimor, sidomos duke respektuar marrëveshjet e kaluara. Refuzimi i Kosovës që ta bëjë këtë mund të rezultojë në pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Të zhgënjyer, partnerët perëndimorë s’do të kenë motiv për ta përkrahur zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës. Pa këtë përkrahje thelbësore, Kosova mund të vërejë përmbysje të progresit në disa fusha./reporteri/

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika