Në gjimnazin “Hivzi Sulejmani” në komunën e Fushë-Kosovës, sot u promovuan lekturat e reja shkollore të botuara nga Shtëpia Botuese “Dukagjini”, të destinuara për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë.
Këto botime sjellin vepra nga autorë të dëshmuar, të njohur brenda dhe jashtë vendit, duke pasuruar fondin letrar me tituj cilësorë për moshat e reja.
Sipas përfaqësueseve të shtëpisë botuese, lekturat e reja dallohen për qasjen krijuese, pasi synojnë pasurimin e fjalorit të nxënësve dhe nxitjen e dashurisë për lexim.
Gjatë aktivitetit promovues, nxënësit patën mundësi të diskutojnë rreth librave, personazheve të preferuar dhe rekomandimeve të tyre për lexim, duke e shndërruar ngjarjen në një bashkëbisedim të gjallë mes botuesve dhe lexuesve të rinj.
Aktivitete të ngjashme janë mbajtur edhe të martën në Prishtinë, ndërsa nesër pritet të zhvillohen në Pejë dhe në qytete të tjera të vendit.
Në përmbyllje të ngjarjes, nxënësve iu shpërndanë dhurata simbolike.