Dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se kanë përvetësuar para nga pagesat e pacientëve për shërbimet shëndetësore.
Në një komunikatë të përbashkët, Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës njoftuan se, pas informacioneve operative për dyshime të shpërdorimit të detyrës, janë ndërmarrë veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Sipas njoftimit, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, hetimet kanë nisur në muajin qershor 2026, ndërsa janë siguruar prova që krijojnë dyshimin e bazuar se të dyshuarit Xh.B., në cilësinë e kryeinfermierit, dhe B.R., në cilësinë e infermierit në QKMF-Prizren, gjatë periudhës nga gushti deri në nëntor 2024 dhe nga shkurti deri në dhjetor 2025, kanë përvetësuar paratë e arkëtuara nga pagesat e pacientëve.
“Sipas hetimeve të deritanishme, i dyshuari Xh.B. ka përvetësuar në vlera të vogla monetare shumën prej 1,250 euro, ndërsa i dyshuari B.R. ka përvetësuar në vlera të vogla monetare shumën prej 1,032 euro. Shuma e përgjithshme e mjeteve financiare të dyshuara të përvetësuara, nga hetimet e deritanishme arrin në 2,282 euro”, thuhet në komunikatë.
Sipas Prokurorisë, veprimet e tyre mbështesin dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, sipas nenit 418 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas intervistimit të tyre në prani të mbrojtësve, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor, do ta vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurën penale”, thuhet në komunikatë.
Hetimet për këtë rast do të vazhdojnë dhe, varësisht nga rezultatet, nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të tyre edhe për periudha të tjera kohore.
