Dy shërbime sekrete, një person: Çfarë fshihet pas arratisjes së Sabri Novosellës për në Turqi?

Një nga ngjarjet më të debatueshme në historinë e veprimtarisë ilegale shqiptare në Kosovë është arratisja e ish të burgosurit politik, Sabri Novosellës nga Jugosllavia në vitin 1979.

Rrethanat se si ai arriti t’i shpëtonte arrestimit nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Jugosllav – UDB, mbeten objekt i rrëfimeve të ndryshme.

Në ciklin e emisioneve “Dosjet”, në kuadër të Debat Plus-it në Dukagjin, janë sjellë dy versione të ndryshme për ngjarjen e 14 dhjetorit 1979. Në njërën anë është rrëfimi i vetë Novosellës, ndërsa në anën tjetër qëndrojnë pretendimet e veprimtarit Ibrahim Kelmendi, i cili thotë se të vërtetën për këtë ngjarje e kishte mësuar vetëm pas përfundimit të luftës.

Sipas Kelmendit, arratisja e Novosellës nuk kishte ndodhur në mënyrën siç është rrëfyer ndër vite, por kishte qenë e simuluar.

“Me atë rast Dema rrëfeu ndodhinë e 14 dhjetorit 1979, si e kishin simuluar bastisjen e shtëpisë se Sabri Novosellës”, deklaron Ibrahim Kelmendi.

Kështu, Kelmendi pretendon se largimi i Novosellës nga Kosova ishte pjesë e një kurdisjeje. Megjithatë, në materialin e dokumentarit theksohet se për këtë version nuk paraqitet ndonjë dokument që do ta dëshmonte pretendimin, ndërsa Kelmendi thotë se bazohet në burime të dorës së dytë.

Në këtë histori përmendet edhe Ibush Kllokoqi, një nga operativët e njohur të UDB-së.

Në atë periudhë, Sabri Novosella ishte një prej figurave të njohura të veprimtarisë ilegale shqiptare. Ai kishte vuajtur burgim pas arrestimit bashkë me Adem Demaçin dhe, pas lirimit, kishte vazhduar aktivitetin e tij politik.

Dokumentet e shërbimeve sekrete jugosllave e përshkruanin Novosellën si kundërshtar të regjimit. Interesimi ndaj tij nuk kishte ardhur vetëm nga shërbimet jugosllave, pasi edhe Shërbimi i Sigurimit të Shtetit në Shqipëri kishte mbledhur informacione për të.

Në “Dosjet” paraqitet edhe një dokument i vitit 1971, në të cilin një informator i Sigurimit të Shtetit shqiptar raportonte për profilin e Novosellës.

Megjithatë, raportet ndaj tij në Shqipëri do të ndryshonin me kalimin e viteve. Nga një figurë për të cilën regjimi shqiptar kishte vlerësim pozitiv, Novosella do të shndërrohej më vonë edhe në një person të dyshuar si agjent i UDB-së.

Vetë Novosella, duke folur për periudhën e burgimit, tregon se ishte dënuar me nëntë vjet burg bashkë me Adem Demaçin dhe veprimtarë të tjerë.

“Me burg të rëndë, nëntë vjet burg jam dënuar me Adem Demaçin dhe të tjerët. Adem Demaçi është dënuar 15 vjet, unë u dënova 9 vjet dhe kështu me radhë, kanë qenë burgje shumë të rënda. Unë burgun e 64-ës, nëntë muaj i kam bë në burgun e Prishtinës, kurse pjesën tjetër e kam bërë në burgun Golotokut”, thotë Novosella.

Ai kishte qëndruar rreth gjashtë vjet në burgun famëkeq të Goli Otokut. Pas lirimit, aktiviteti i tij ilegal vazhdoi, ndërsa sipas dokumentarit, ai mbeti nën vëzhgimin e shërbimeve sekrete.

Si e mori vesh Novosella se do të arrestohej?

Pikërisht këtu nis edhe versioni i Novosellës për arratisjen.

Ai rrëfen se një mjek dhe mik i tij, Ramadani Xhema, kishte mësuar për planin e UDB-së për arrestimin e tij. Sipas Novosellës, Xhema kishte qenë në kontakt me dy pjesëtarë të UDB-së, ndërsa njëri prej tyre kishte zbuluar pa dashje se të nesërmen do të bëhej arrestimi.

“Ramdadan Xhema ishte mjek në spitalin e Prishtinës, ka qenë i njohur, shkoi në Amerikë. I shkojnë dy UDB-ash njëri e bëni kontrollimin, kurse ky tjetri i thotë ku po dalim sonte se e ka pasë rregull me dalë nëpër kafe. Thotë sonte nuk mundem me dalë se nesër në ora 5 kemi me burgos Sabri Novosellën”, thotë Novosella.

Sipas rrëfimit të tij, ai më pas ishte përcjellë deri në shtëpi nga një pjesëtar i shërbimit sekret, i cili nuk e dinte se Novosella kishte marrë informacion për arrestimin e planifikuar.

“E kisha një përcjellës dhe më përcjellte mua deri në derë përcjellje, më shtini në shtëpi të oborrit, shkoi në mbrëmjë duke menduar që Sabriun e rehatuam dhe nesër veç me shku me burgos”, thotë Novosella.

Novosella tregon se, pasi kishte kuptuar se arrestimi ishte planifikuar për orën 5:00 të mëngjesit, kishte shkuar te motra e tij, Igballe Novosella, dhe i kishte treguar për situatën.

“Ka ora 00:00 shkova te motra ime, motra ishte afër Bozhurit e kishte banesën me burrin e vet Fadilin, motra jem Igballe Novosella, Fadil Mehmeti dhëndërri, edhe iu tregova kështu është puna, ata e rregulluan se nëse vijnë nesër në ora 5:00, bëjnë telefon prej shtëpisë, Aga është smutë, baba është smutë. Fjala është sëmutë, dije që kanë ardh me të burgos”, shton ai.

Këto dy rrëfime krijojnë dilemën kryesore të ngjarjes: nëse Novosella u arratis për t’i shpëtuar një arrestimi të planifikuar nga UDB-ja apo nëse, siç pretendon Kelmendi, gjithçka ishte pjesë e një skenari të parapërgatitur.

Edhe rruga drejt Shqipërisë ka dy versione

Dallimet mes rrëfimeve nuk ndalen te mënyra se si Novosella e kishte kuptuar se do të arrestohej. Ato shtrihen edhe te mënyra se si ai e kishte kaluar kufirin drejt Shqipërisë.

Novosella thotë se gjatë rrugëtimit drejt kufirit ishte shoqëruar nga një person i quajtur Mark Murturi.

“Ma lehtë e kam pasë me vdek se me më mbytë ata kadalë kadale dhe u përshëndetëm me ta, dolëm. Dola në Shqipëri, ata u kthyen, bile Marku prej aty i kallxon nanës, Sabriun e qita andej. Atëhere unë në Shqipëri, fati, fat interesant kam pasë në këto rrugët e mia të shpëtimit”, thotë Novosella.

Pas kalimit në Shqipëri, megjithatë, problemet e Novosellës nuk përfunduan.

Ai u ndalua nga Sigurimi i Shtetit shqiptar dhe, sipas rrëfimit të tij, u përball me rrezikun që të dërgohej në një kamp internimi ose t’i dorëzohej autoriteteve jugosllave.

“Se ishte regjimi i Enver Hoxhës, ose me të dërgu nëpër kampe të përqendrimit me qëndru 10-15 vjet, ose me të dorëzu në Jugosllavi. Me të qitë në Jugosllavi, unë vdekjen e kisha të sigurt, dhe me mbet nëpër burgje e njejtë gjë. Atëhere Ajet Haxhia, Sali SHatri bënë çmos, e kryen në mënyrën e tyre me i hypë anijes “Skënderbeu” kah Durrësi me shku në Izmir të Turqisë”, thotë Novosella.

Sipas rrëfimit të tij, zyrtarë të kohës e ndihmuan që të largohej nga Shqipëria, duke i dhënë edhe mjete financiare për udhëtimin. Në një rast, atij i ishin dhënë 500 dollarë për shpenzimet e largimit.

Kështu, Novosella u gjend në një situatë paradoksale: i dyshuar nga Jugosllavia si kundërshtar i regjimit dhe njëkohësisht i dyshuar nga Shqipëria si person i lidhur me UDB-në.

 

 

 

Të fundit nga rubrika