Dy vjet nga fitorja e PDK-së në zgjedhje lokale, Krasniqi në Ferizaj: Ky është modeli i qeverisjes që ka nevojë qytetari

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në dy vjetorin e fitores së PDK-së në zgjedhjet lokale ka vizituar Komunën e Ferizajt

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në dy vjetorin e fitores së PDK-së në zgjedhjet lokale ka vizituar Komunën e Ferizajt.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Ferizaj është “shembulli më i mirë” se si transformohet një qytet dhe një komunë në shërbim të qytetarëve.

“Në këtë dy vjetor të fitores së madhe të kryetarit Agim Aliu, por edhe të PDK-së në zgjedhjet e fundit lokale, nuk kisha se si të mos vij në Ferizaj për ta përgëzuar kryetarin Agim Aliu për punën e jashtëzakonshme, për ta falënderuar për përkushtimin e tij dhe për këtë transformim, të cilin po e ndjejnë çdo ditë e më shumë qytetarët e Ferizajt. Ky është modeli i qeverisjes për të cilin ka nevojë qytetari ta ndjejë dhe ne në nivelin lokal këtë po e shohim në Ferizaj, por edhe në shumë komuna të tjera, aty ku bashkëpartiakët tanë, kryetarët nga radhët e PDK-së kanë marrë përgjegjësi dhe besim qytetar”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se modeli qeverisës i PDK-së në nivelin lokal, në dhjetë komunat ku PDK qeveris, me numrin më të madh të asamblistëve, numrin më të madh të grave dhe të rinjve në pozicione udhëheqëse, është dëshmuar se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, përtej ngjyrimeve politike.

“Sot ne zotohemi përsëri që gjithmonë dhe kudo që jemi, punën dhe përkushtimin do ta kemi për qytetarin dhe jo për politika ditore. Ky Ferizaj i ri, i transformuar në shërbim të qytetarëve me një kryetar që është i tyre dhe mes tyre, është shembulli më i mirë, është modeli të cilin ne po e ndjekim edhe në Prizren, Mitrovicë, Skenderaj, Drenas, Vushtrri, por edhe në komunat më të vogla si Kaçaniku e Hani i Elezit”, ka thënë tutje kreu i PDK-së.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka falënderuar kryetarin Krasniqi për mbështetjen në vizionin e tij për transformimin e Ferizajt, që po e shndërrojnë këtë qytet në destinacion.

“Sigurisht që nuk do të ishte i mjaftueshëm vetëm një vizion i yni, vetëm një mbështetje e jona nga këshilltarët, nga ekipi i ekspertëve që i kam pasur dhe i kam pranë vetes, pa mbështetjen e nivelit qendror, pa mbështetjen e kryetarit, sepse gjitha këto projekte kanë një zanafillë. Ne kemi filluar kaherë me këto projekte dhe jemi duke i vazhduar, por krahas këtyre që e hapin zemrën e qytetit, ne jemi duke zhvilluar edhe projekte tjera që kanë të bëjnë edhe me agjendën e gjelbër, sepse gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes sime fokus i veçantë krahas transformimit janë edhe politikat e gjelbra”, ka thënë Aliu.

Këto deklarata kryetari i PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetari i Ferizajt Agim Aliu i bënë pas vizitës që i bënë projektit të nënkalimit të ri që po zhvillohet në qytetin e Ferizajt.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika