Kanë mbetur edhe 22 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje për emrin që do të marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
Qe gati dy javë, më 25 mars, Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit, ndërsa në të kundërtën vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se është në komunikim me opozitën dhe ka paralajmëruar se takimet pritet të zhvillohen gjatë kësaj jave.
“Jam në komunikim dhe në kontakt me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Do të ketë takime javën e ardhshme”, ka deklaruar Kurti të premten para mediave para se të hynte në seancë plenare.
Sot Kurti pritet ta takojë kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Takimi do të zhvillohet në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, mandati i presidentes Vjosa Osmani ka përfunduar më 4 prill, tani Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur pasuesin e saj.
Pas përfundimit të mandatit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka marrë detyrën e ushtrueses së presidentit.
Zgjedhja e presidentit kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend. Aktualisht, LVV-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Për këtë proces nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota.
Lëvizja Vetëvendosje javën e kaluar ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak, ndërsa nga opozita ka pasur akuza se procesi po zvarritet qëllimshëm.