Zëri i protestuesve po vazhdon të dëgjohet pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bërë thirrje për eliminimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Nën brohoritjen “Kërkojmë mbrojtje për vajzat dhe gratë”, po kërkohen dënime meritore për të gjithë përdhunuesit e vajzave dhe grave, ndërkaq kanë hedhur ngjyrë të kuqe në të gjitha insitutcionet e drejtësisë përfshirë edhe objektin e Kuvendit.
“Mbrojtje për vajzat dhe gratë” është parulla kryesore e cila i priu protestuesit e mbledhur të mërkurën e 31 gushtit.

Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, vjen si rrjedhojë e raportimeve të shpeshta të dhunimit seksual ndaj vajzave dhe grave, në veçanti, të rastit të dhunimit së 11-vjeçares nga pesë burra në Prishtinë.
Lidhur me rastin janë arrestuar pesë persona, katër prej tyre u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërkaq të pestit pritet t’i shqiptohet të mërkurën e 31 gushtit.
“Boll ma”, “Përdhunuesit në burg”, “Nuk ka dështu nana, ka dështu shteti”, “Bashkohuni kundër dhunës”, “Bashkohuni kundër pedofilisë”, janë disa nga pankartat që protestuesit po i mbajnë në duar.

Protestuesit patën tri kërkesa për institucionet.
Kërkuan krijimin e mekanizmave efektivë për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimin e drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit, si dhe legalizimin dhe përdorimin e gazit irritues për vetëmbrojtje.