Egjipti thotë se do të lirohen 13 izraelitë e 39 palestinezë në ditën e tretë të armëpushimit

Egjipti ka pranuar një listë me 13 izraelitë dhe një tjetër me 39 palestinezë që pritet të lirohen në ditën e tretë të armëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit. Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara, ka filluar që nga e premta

Burra duke qëndruar pranë një porte në pikëkalimin kufitar Rafah, nga ku Hamasi pritet t'i lirojë pengjet që i rrëmbeu gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael, si pjesë e një marrëveshje për këmbimin e pengjeve me të burgosur mes Hamasit dhe Izraelit, 24 nëntor 2023.

Egjipti ka thënë se e ka pranuar një listë me 13 izraelitë dhe një tjetër me 39 palestinezë që pritet të lirohen të dielën, në ditën e tretë të armëpushimit mes Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe Izraelit.

Armëpushimi katërditor mes Hamasit dhe Izraelit – i ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara – nisi të premten.

“Autoritetet egjiptiane e kanë pranuar sot një listë me të ndaluarit në Gazë, e cila përfshin 13 izraelitë, dhe një listë me palestinezët që do të lirohen nga burgjet izraelite, e cila përfshin 39 palestinezë. Ata do të këmbehen sot mes dy palëve”, tha Diaa Rashwan, shef i zyrës për media të Qeverisë egjiptiane.

Ky do të jetë grupi i tretë i pengjeve dhe të burgosurve që do të lirohen nga të dyja palët prej se nisi armëpushimi të premten.

Rashwan tha se armëpushimi po vazhdon “pa pengesa” në ditën e tretë.

Në përgjithësi, Hamasi i ka liruar së paku 50 pengje izraelite, ndërsa Izraeli 150 të burgosur palestinezë. Të gjithë janë gra dhe të mitur.

Të shtunën vonë, Hamasi i liroi 17 pengje, përfshirë 13 izraelitë nga Rripi i Gazës, derisa Izraeli i liroi 39 të burgosur palestinezë.

Këmbimi i pengjeve me të burgosurit u krye në orët e vona, pas vonesave disa orëshe, për shkak se Hamasi e akuzoi Izraelin e se kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit.

Kjo vonesë e theksoi brishtësinë e armëpushimit, i cili e ka ndalur një luftë që e ka tronditur dhe dridhur Izraelin, ka shkaktuar shkatërrim tejet të madh në Rripin e Gazës, si dhe ka kërcënuar me përshkallëzimin e luftës në tërë rajonin.

Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, shkruan REL.

Izraeli shpalli gjendje lufte menjëherë, duke kryer bombardime disa javore dhe duke e nisur një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë mbi 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur.

Shija e redaktorit

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Të fundit nga rubrika