Sipas burimeve të RTV Dukagjinit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dorëzuar kërkesën për mbajtjen e një seance të Kuvendit të Kosovës për nesër (e hënë) 5 tetor.
Kërkesa vjen në një situatë të ndjeshme institucionale lidhur me zgjedhjen e Presidentit dhe ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Nga ana tjetër gjatë ditës, Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se qëndrimi i partisë së tij është që ligji të miratohet në të dy leximet, më pas të propozohet emri për president dhe të zgjidhet presidenti, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet.
Hamza ka theksuar se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me PDK-në, pasi, sipas tij, historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës janë më të mëdha se çdo subjekt politik.
“Po e thashë, po e thashë, po e përsëris për të sotmen herë. Kërkesa dhe qëndrimi i PDK-së është edhe kjo nuk është për PDK-në. Se çka është më e madhe se PDK-ja”.
“Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne. Na po thojmë. Ne po themi me u aprovu ligji në të dy leximet. Pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedh presidenti, e me u shmang zgjedhjet. Nëse dikush tjetër ka plan me çu vendin në zgjedhje, është tim tjetër”, ka deklaruar Hamza.
Kurse me 2 tetor Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin përmes së cilës i përgjigjet kërkesës për nismën e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.