Eksperti i sigurisë për rastin e spiunazhit të Bojan Jevtiqit: Kosova po dëshmon forcë kundër rrjeteve të inteligjencës serbe

Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj ka vlerësuar se rasti i ngritjes së aktakuzës ndaj ish togerit të policisë Bojan Jevtiq për spiunazh dhe posedim të armëve të paautorizuara tregon, sipas tij, një fazë të re të forcimit të institucioneve të sigurisë në Kosovë.

Në një reagim në Facebook, Blakaj ka thënë se rasti duhet parë në kontekst të luftës hibride të zhvilluar nga Serbia ndaj Kosovës përmes rrjeteve të inteligjencës, dezinformimit dhe strukturave paralele.

Ai ka përmendur edhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Policinë dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës si institucione që kanë rritur efikasitetin në zbulimin e rasteve të infiltrimit.

Sipas tij, shërbimi sekret serb BIA vazhdon të veprojë në kuadër të një strategjie destabilizuese ndaj Kosovës, ndërsa rastet e fundit, përfshirë edhe atë të Jevtiqit, tregojnë tkurrje të hapësirës operative të rrjeteve të dyshuara.

Blakaj thekson se këto zhvillime, sipas tij, e vendosin Serbia në pozitë më defensive dhe forcojnë narrativën e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë për kërcënimet e sigurisë.

Reagimi i plotë i Blakajt:

Bojan Jevtiq dhe disfata e inteligjencës serbe në Kosovë

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Bojan Jevtiqit për spiunazh dhe posedim të paautorizuar të armëve nuk është vetëm një rast penal kundër një individi të dyshuar për tradhti institucionale. Ky është një zhvillim që e ekspozon metodologjinë agresive të shtetit serb ndaj Kosovës dhe njëkohësisht konfirmon se mekanizmi i sigurisë së Kosovës ka hyrë në një fazë të re profesionalizmi, ku depërtimet e strukturave armiqësore jo vetëm zbulohen, por goditen me saktësi institucionale.

Prej përfundimit të luftës e deri më sot, Serbia nuk e ka ndërprerë asnjëherë sulmet kundër shtetësisë së Kosovës, vetëm mjetet kanë ndryshuar. Në mungesë të mundësisë për agresion të drejtpërdrejtë ushtarak, Beogradi ka investuar në një luftë hibride të shumëfishtë: propagandë, dezinformim, destabilizim politik, instrumentalizim të grupeve kriminale në veri, ndikim fetar përmes Kishës Ortodokse Serbe, financim të strukturave paralele dhe mbi të gjitha, operacione intensive të inteligjencës të udhëhequra nga BIA.

Rasti i Jevtiqit duhet parë pikërisht në këtë kontekst. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se për një periudhë të gjatë ka mbledhur dhe transmetuar dokumente të klasifikuara që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës tek zyrtarë të inteligjencës serbe. Nëse këto pretendime provohen në gjykatë, atëherë kemi të bëjmë me një ndër rastet më serioze të depërtimit armiqësor në strukturat e sigurisë së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Kjo nuk është befasi për këdo që njeh mënyrën si operon Serbia. BIA nuk është një shërbim inteligjent i orientuar kah mbrojtja e rendit kushtetues, në praktikë funksionon si instrument i politikës ekspansioniste të Beogradit, me rrënjë të thella në doktrinën e vjetër të aparatit jugosllav dhe atij sovjetik të sigurimit. Objektivi kryesor ka mbetur i pandryshuar: sabotimi i shtetësisë së Kosovës, mbajtja gjallë e tensioneve ndëretnike dhe krijimi i perceptimit se Kosova është shtet jofunksional.

Për këtë arsye, depërtimi në institucionet e sigurisë së Kosovës ka qenë prioritet i vazhdueshëm i tyre. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e madhe e aksionit të 17 korrikut 2025. Arrestimi i Jevtiqit, i realizuar përmes bashkërendimit mes Prokurorisë Speciale, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektoratit Policor, nuk ishte rezultat rastësor por produkt i një pune profesionale, të heshtur dhe të gjatë kundërzbulimi.

Ajo që bie në sy është rritja e jashtëzakonshme e kapaciteteve të inteligjencës së Kosovës. Për vite me radhë, kundërshtarët e shtetit të Kosovës janë përpjekur ta portretizojnë AKI-në si institucion të dobët apo të politizuar, por se faktet në terren po e hedhin poshtë këtë propagandë.

Në vitet e fundit, sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë në shtator 2023, është parë një transformim i dukshëm operacional. Rrjetet destabilizuese serbe po zbulohen me ritëm më të shpejtë. Janë goditur grupe kriminale të lidhura me strukturat paralele të Beogradit dhe arrestuar individë të dyshuar për bashkëpunim me inteligjencën serbe. Po ashtu, janë neutralizuar skema të sofistikuara të infiltrimit dhe janë ekspozuar lidhje që për vite ishin mbajtur në errësirë.

Banjska ishte pika e kthesës. Sulmi i organizuar nga struktura paramilitare të mbështetura nga Beogradi dhe i orkestruar nga njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit tregoi qartë se Serbia nuk e kishte braktisur asnjëherë projektin destabilizues ndaj Kosovës. Ajo ngjarje e detyroi shtetin e Kosovës të forcojë ndjeshëm kundërzbulimin dhe mbikëqyrjen operative.

Rezultatet po shihen sot. Rasti Jevtiq është pjesë e kësaj vale goditjesh që po çmonton hallkë pas hallke mekanizmin e fshehtë të ndikimit serb. Pozita e tij si shef i Operativës në Policinë Kufitare në rajonin e Gjilanit e bën çështjen edhe më të rëndë për Serbinë, sepse tregon se aty ku BIA ka investuar më shumë për depërtim, aty po goditet më fort nga organet ligjzbatuese të Kosovës.

Rajoni kufitar është arterie strategjike e sigurisë kombëtare, ngase çdo informacion mbi lëvizjet operative, kontrollet, sistemet teknike dhe koordinimin ndërinstitucional ka vlerë të madhe për inteligjencën serbe. Pikërisht për këtë arsye, fakti që organet e Kosovës e kanë identifikuar dhe ndalur këtë kanal informacioni është sukses i rëndësishëm kundërzbulimor. Ky nuk është vetëm dështim i Jevtiqit si individ, por dhe dështim operacional i vetë BIA-s.

Një shërbim inteligjent matet nga aftësia për të mbrojtur rrjetet e veta. Kur burimet e tij zbulohen, arrestohen dhe ekspozohen publikisht, kjo nënkupton komprometim të rëndë operacional. Arrestimi i Jevtiqit dërgon mesazh të qartë në Beograd: Kosova nuk është më terren i lehtë për operacione të fshehta. Kjo është goditje psikologjike po aq sa operative. Çdo bashkëpunëtor potencial i inteligjencës serbe tani e di se mbikëqyrja ekziston, se kundërzbulimi funksionon dhe se ekspozimi është real. Pikërisht ky efekt parandalues është një ndër sukseset më të mëdha të institucioneve të sigurisë.

Për më tepër, ky rast rrëzon një narrativë të vjetër të Serbisë se strukturat e saj veprojnë lirshëm në Kosovë. Përkundrazi, trendi i viteve të fundit tregon tkurrje të hapësirës operative për rrjetet serbe. Operacionet e koordinuara të AKI-së, Policisë dhe Prokurorisë Speciale po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë infiltrimin.

Shtetet e brishta nuk zbulojnë agjentë të huaj të infiltruar në institucionet e tyre, shtetet e forta po. Kosova po dëshmon se është në kategorinë e dytë. Në këtë kuptim, rasti i Jevtiqit duhet parë si fitore e rendit kushtetues dhe jo si shenjë dobësie. Vetë zbulimi i infiltrimit është dëshmi e forcimit institucional.

Serbia ka investuar për vite në krijimin e rrjeteve të lojalitetit të fshehtë brenda Kosovës, veçanërisht në sektorët sensitiv. Tani po sheh se këto rrjete po ekspozohen një nga një. Tashmë kjo e vendos Beogradin në pozitë defensive.

Në aspektin politik ndërkombëtar, raste të tilla e forcojnë argumentin e Kosovës para partnerëve perëndimorë se kërcënimi nga Serbia nuk është retorik, por konkret dhe operacional. Vite me radhë, Kosova ka paralajmëruar për luftë hibride, ndërhyrje të inteligjencës dhe rrjetet destabilizuese të dirigjuara nga Beogradi. Disa partnerë shpesh kanë qenë skeptikë, sot provat po grumbullohen.

Institucionet e sigurisë po tregojnë maturi, profesionalizëm dhe efikasitet në rritje. AKI po shfaqet si një institucion serioz me kapacitete reale monitorimi dhe zbulimi. Prokuroria Speciale po tregon vendosmëri për t’i çuar rastet deri në fund. Policia dhe Inspektorati Policor po dëshmojnë se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht pozitës apo përkatësisë. Ky është standard shtetëror europian.

Në fund, rasti Bojan Jevtiqit nuk është histori për një individ të kapur në lojën e rrezikshme të spiunazhit, por se një histori për dështimin e një shteti agresiv për ta mbajtur Kosovën peng përmes infiltrimit dhe frikës. Është histori për shembjen graduale të rrjeteve të errëta që Beogradi ndërtoi për vite. Dhe mbi të gjitha, është histori për një Republikë që po piqet, po forcohet dhe po mëson t’i mbrojë institucionet e veta me profesionalizëm të lartë.

Kosova nuk po reagon më ndaj krizave pasi të ndodhin, po i parandalon ato. Dhe ky është ndryshimi që e shqetëson më së shumti Beogradin.

Të fundit nga rubrika