Ekstradimi i Radojçiqit në Kosovë vështirë i mundshëm, Serbia s’pranon distancim nga krimi

Nga njohësit e fushës, ekstradimi i liderit të grupit terrorist serb, Millan Radojçiq në Kosovë po konsiderohet si i vështirë dhe arsyeja bazë sipas tyre është mungesa e marrëveshjes që e rregullon çështjen e ekstradimit në mes dy vendeve

Millan Radojçiq, udhëheqësi kryesor i grupit terrorist që e sulmuan Policinë e Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Fillimisht, ai u ndalua për 48 orë në Serbi, për t’u liruar pastaj me disa kushte qesharake, që kanë të bëjnë me ndalimin e daljes nga shteti dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë.

Për krimet e kryera, shteti i Kosovës ka kërkuar që ai të ekstradohet në Kosovë në mënyrë që t’i përgjigjet organeve përkatëse ligjore të Kosovës.

Por, ekstradimi i tij në Kosovë, nga njohësit e fushës po konsiderohet proces jo i lehtë për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e Serbisë për t’i kryer obligimet e saja dhe për t’u distancuar nga krimi.

Avokati Ardian Bajraktari, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se vetëm një presion në rritje i faktorit ndërkombëtar për ta detyruar Vuçiqin, mund ta detyrojë këtë të fundit ta ekstradojë Radojçiqin dhe të tjerët në Kosovë.

“Sikurse dihet, ne me Serbinë përveç që nuk kemi marrëveshje të tillë, nga ana e Serbisë nuk ka as vullnet për këtë gjë, andaj vetëm një presion në rritje, të cilin e pres, të faktorit ndërkombëtar për ta detyruar Vuçiqin, mund ta detyrojë këtë të fundit ta ekstradojë Radojçiqin dhe të tjerët për t’u përballur me akuzat para organeve të drejtësisë së vendit tonë, pra një proces jo i lehtë, por jo edhe i pamundur”, ka thënë Bajraktari.

Sipas Bajraktarit, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq me gjykimin e Radojçiqit synon të arrijë tri elemente.

Avokati, Ardian Bajraktari

Synimi i parë i Vuçiqit sipas tij është të justifikohet para faktorit ndërkombëtar se po bënë diçka. Po ashtu të justifikohet se Radojçiq nuk mund të ekstradohet me “arsyetimin” se ndaj tij është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore/penale në Serbi, dhe se fakti që ndaj Radojçiqit rëndojnë akuza për kontrabandim armësh, tenton të “shpërlahet” se gjoja shteti serb nuk ka qenë i implikuar në këtë rast.

“Është proces, i ardhur ekskluzivisht si rezultat i presionit ndërkombëtar, me theks të veçantë ShBA-së”, ka shtuar Bajraktari për gjykimin e Radojçiqit në Serbi.

Bajraktari ka shtuar tutje se ekstradimi është pjesë e raporteve ndër-shtetërore në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale, e ky sipas tij është i lidhur ekskluzivisht me çështjen e vullnetit politik të shteteve.

Sipas Bajraktarit edhe bashkësia ndërkombëtare e kanë të qartë se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist.

Ai ka vlerësuar se duhet edhe një hetim ndërkombëtar për ta konstatuar rolin e Serbisë në këtë ngjarje.

“Atë që në fakt edhe është deklaruar publikisht si dhe është obligim ligjor, që në momentin që procedohet nga Gjykata në Ministri letër rreshtimi ndërkombëtar, i njëjti pa vonesë procedohet tutje, sikurse e obligon ligji, e në rastet kur është fjala me Serbinë, procedohet përmes Zyrës së BE-së si dhe njëkohësisht procedimin për futjen e Radojçiqit në listën e Interpol-it”, ka përfunduar ai.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se ekstradimi i Radojçiqit në Kosovë nuk mund të pritet.

“Duke e njohur situatën politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë e cila nuk e njeh Kosovën e rrjedhimisht nuk ka edhe një marrëveshje që e rregullon çështjen e ekstradimit në mes të dy shteteve, ekstradimi i Radojçiqit nuk mund të pritet”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka thënë se edhe me fillimin e hetimeve të improvizuara nga institucionet e Serbisë ndaj Radojçiqit, vet caktimi i masës së ndalimit për të hyrë në Kosovë është një veprim i mirëmenduar nga shteti serb.

“Madje edhe me fillimin e hetimeve të improvizuara nga institucionet e Serbise ndaj Radojçiqit, vet caktimi i masës së ndalimit për të hyrë në Kosovë është një veprim i mirëmenduar nga shteti serb me qëllim që ta evitojnë presionin ndërkombëtar për ekstradimin eventual të Radojçiq duke u thirrur në vendimin nga “institucionet e pavarura”, pra masën e ndalesës për të hyrë në Kosovë”, ka thënë tutje ai.

Këtë ai e ka quajtur si “pjesë e skenarit të mirëmenduar serb” dhe siguresë e vendosur nga ta për mos ekstradimin e tij.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha

Ish-zëvendësministri i Brendshëm ka shtuar se vetëm institucionet e Republikës së Kosovës kanë të drejtë ligjore dhe kompetencë territoriale për hetimin e sulmit në Banjskë, pas përfundimit të të cilit sipas tij “do të ketë një pasqyrë të qartë të gjithë asaj që ka ndodhur dhe se Serbia do duhej të bashkëpunoj pa kushte, e jo të zhvillojë një hetim paralel për një rast që nuk ka kompetencë territoriale”.

Ai ka shtuar se sipas pamjeve, sasisë dhe llojit të armatimit, organizimit të aksionit, metodës së përdorur e pjesmarrësve të sulmit, “besohet që është pikërisht ajo organizatorja, nxitësja e financuesja e këtij sulmi me qëllimin e aneksimit e kësaj pjese të territorit të Republikës së Kosovës”.

Sipas tij, hetimi i Radojçiqit nga institucionet e Serbisë ka filluar për ta fshehur të vërtetën.

”Hetimi” i Radojçiqit nga institucionet e Serbisë ka filluar pikërisht për të minuar dhe pamundësuar hetimin e këtij sulmi dhe për të fshehur të vërtetën, pra ka filluar një hetim paralel me qëllimin e vetëm të amnistimit të vet shtetit serb në organizimin dhe financimin e këtij sulmi. Dhe amnistimin edhe të vet Radojçiqit duke e “hetuar” vetëm për vepra relativisht te lehta siç është ajo e transportimit të armëve apo vetëm për armëmbajtje pa leje me mundësi të përfundimit me një dënim simbolik”, ka shtuar tutje Hoxha.

Hoxha ka theksuar se partnerët ndërkombëtarë duhet të vazhdojnë mbeshtetjen ndaj institucioneve të Kosovës në hetimin e rastit që sa më shpejtë të argumentohet pasqyra e plotë e asaj çfarë është organizuar.

“Duhet të bëjnë presion mbi Serbine që fillimisht të tërhiqet nga improvizimet se kinse po e heton rastin, ta detyrojnë që të bashkëpunojë në hetimin e rastit, pse jo edhe përmes mekanizmave dhe institucioneve ndërkombëtare, dhe natyrisht duhet që shpejt të pregatitin sanksione ndaj organizatorit, financuesit e mbështetesit të këtij sulmi terrorist”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka vlerësuar që ndërkombëtarët e në veçanti amerikanët kanë qenë korrekt në cilësimin dhe kualifikimin e sulmit terrorist.

“Besoj që bazuar në provat e pakontestueshme tashmë të prezantuara para publikut edhe përmes video inqizimeve me dron dhe mjete tjera teknike nga mekanizmat e sigurisë në Kosovë, do të duhej ta mbajnë përgjegjës shtetin serb për organizimin e këtij sulmi dhe ti vendosin sanksione të ashpra të cilat do tregonin seriozitetin e një akti të till dhe do shërbenin edhe si preventive për aktet tjera të mundshme të natyrës së njëjtë”, ka theksuar tutje ai.

Hoxha ka potencuar se tashmë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka filluar hetimet lidhur me rastin  dhe se sipas tij, nëse ka një urdher arrest, prokurori kompetent i shtetit mund të kërkojë nga Ministria e Drejtësise së Republikës së Kosovës të kërkoj ekstradimin e Radojçiçit dhe të dyshuarve tjerë nga  Serbia, kërkesë e cila duhet ti drejtohet Ministrisë së Drejtesisë së Serbisë.

“Natyrisht që në mënyrë formale njihen dhe ka edhe forma dhe mekanizma tjera të komunikimit në mes të Kosovës dhe Serbisë sa i përket shkëmbimit të informacioneve, siç është Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX i cili mbështet Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke lehtësuar shkëmbimin e informacioneve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë”, por thuajse është e sigurt që në këtë rast Serbia nuk do të bashkëpunojë fare”, ka përfunduar ish-zëvëndësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se Serbia nuk duhet të denojë Radojçiqin por ta ekstradojë atë në Kosovë.

“Serbia nuk duhet dënuar kriminelin Radojçiq por ai duhet ekstraduar Kosovës, pasi është qytetar i komunës se Gjakovës”, ka thënë Sadiku.

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku

Sadiku ka thënë se ndërkombëtaret duhet t’i bëjnë trysni Serbisë që të gjithë terroristët e perfshirë në sulmin terrorist ndaj Kosovës t’i dorëzohen organeve të drejtësisë së Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike ka thënë tutje se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla duhet të kërkojnë ndjekje ndërkombëtare për të gjithë pjesëtarët e grupit terrorist, në krye me Millan Radojçiq.

Kujtojmë që të dielën e 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist serb, i cili udhëhiqej nga Millan Radojçiq.

Nga ky sulm mbet i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë i cili tashmë është shpallur hero, i plagosur ka mbetur zyrtari policor Alban Rashiti dhe disa të tjerë të lënduar.

Ndërsa nga aksioni i Policisë së Kosovës mbetën të vrarë tre pjesëtarë të këtij grupi terrorist serb.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika