Elektrosever shkel afatet e përcaktuara me marrëveshje

Kompania serbe, Elektrosever, nuk i ka dorëzuar të dhënat e fundit për konsumatorët në KEDS dhe te KOSTT. Gjithashtu, nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun e Kosovës për energji

Nënstacioni i Vallaçit në veri të Kosovës.

Kompania serbe, Elektrosever, nuk i ka dorëzuar të dhënat e fundit për konsumatorët në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), dhe te Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT).

Gjithashtu, kompania në fjalë nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun e Kosovës për energji, raporton Radio Evropa e Lirë (REL), transmeton Portali Dukagjini.

Këto obligime dalin nga Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord më 21 qershor.

Si rezultat i këtyre obligimeve, kompania Elektrosever është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor. Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës.

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë

Ajo është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Ndërsa, në udhërrëfyesin që është bërë publik nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thuhet se brenda shtatë ditësh nga lëshimi i licencës, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Udhërrëfyesi, po ashtu, specifikon që “dhjetë ditë pas lëshimit të licencës për furnizim”, Elektrosever do t’i nënshkruajë marrëveshjet teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, EPS ka thënë se licenca që Elektrosever e ka marrë nga ZRRE-ja “ende nuk është funksionale” dhe se “kompania aktualisht nuk ka klientë”. Më shumë detaje nuk jepen.

Po ashtu, edhe vetë KOSTT e ka konfirmuar se ende nuk ka marrë të dhëna për konsumatorë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ky operator i transmisionit ka thënë se kompania Elektrosever nuk ka vepruar në përputhje me pikën e dytë të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë.

KOSTT-i ka shtuar se marrëveshjet e nevojshme teknike “janë nënshkruar” nga ana e tij, “në përputhje me format standarde të këtyre marrëveshjeve, të aprovuara nga ZRRE-ja” dhe se ato “janë dërguar për nënshkrim tek Elektroseveri, në afatin e paraparë sipas udhëzuesit”.

Nënstacioni elektrik i Vallaçit në veri të Kosovës.

“Por, ende nuk i kemi pranuar të njëjtat të nënshkruara nga kompania Elektrosever. Jemi në pritje të konfirmimit nga furnizuesi Elektrosever”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Nga BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi, thonë se presin që “të dyja palët t’u përmbahen hapave të rënë dakord dhe t’i zbatojnë ata në kohën e duhur”.

“BE-ja, gjithashtu, u bën thirrje të dyja palëve që të bëjnë përparim në të gjitha punët e tjera të pazgjidhura, që lidhen me zbatimin [e marrëveshjes]”, thuhet në një deklaratë nga Zyra për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, dërguar REL-it.

Në deklaratën që EPS i ka dhënë REL-it thuhet, po ashtu, se Elektrosever “është licencuar për furnizim komercial” në Kosovë dhe se “mund t’i vendosë çmimet e veta” për konsumatorët.

Nga ZRrE-ja kanë konfirmuar se Elektrosever, në bazë të licencës që ka, mund ta caktojë vetë çmimin.

Sipas saj, subjekt i miratimit nga ZRRE-ja janë vetëm tarifat që vendosin kompanitë për shërbim publik, në këtë rast Kompania kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).

ZRRE shton se Elektrosever “do të jetë i obliguar që t’i zbatojë tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të shpërndarjes, ashtu siç miratohen nga ZRRE-ja”.

EPS thotë se Elektrosever “mund të blejë energji elektrike në treg, ose nga themeluesi, gjegjësisht nga vetë EPS-ja”.

Fadil Ismaili, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, ka pohuar për REL-in se Elektrosever ka licencë për furnizim komercial dhe se në treg mund të blejë energji elektrike nga cilido furnizues.

Por, ai shtoi se marrë parasysh që Elektrosever duhet t’u nënshtrohet tarifave të KOSTT-it dhe KEDS-it për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe për shfrytëzimin e rrjetit të shpërndarjes, atëherë është pikëpyetje nëse çmimet që ofrohen te konsumatorët, do të jenë të përballueshme ose jo.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika