Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, e ka cilësuar shfaqjen e kamionëve-ekranë me materiale për Kosovën në Nju Jork si pjesë të një fushate që synon të ndikojë opinionin perëndimor përmes një narrative të “viktimizimit serb”.
Fetoshi ka thënë se kjo fushatë është vazhdim i narrativës së “viktimizimit serb”, tashmë e zhvendosur në një prej qendrave kryesore të vëmendjes politike dhe diplomatike botërore.
Sipas tij, koha e zgjedhur për këtë aksion nuk është e rastësishme, pasi ai po zhvillohet gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Raportimet konfirmojnë se kamionët me ekrane po qarkullojnë në rrugët e Nju Jorkut, përfshirë Times Square, duke transmetuar pamje për pozitën e serbëve në Kosovë. Organizatorët nga diaspora serbe e kanë paraqitur iniciativën si “humanitare”.
Fetoshi pretendon se përmbajtjet e shfaqura në këta kamionë ndërthurin pamje nga ngjarje të ndryshme dhe periudha të ndryshme, duke i vendosur ato në një kornizë të përbashkët që synon të krijojë përshtypjen e një vazhdimësie të “persekutimit” të serbëve në Kosovë.
“Një mekanizëm propagandistik që ka selektuar pamje reale nga ngjarje të ndryshme në kohë, duke i montuar si ‘prova’ për vazhdimësinë e ‘persekutimit’ të serbëve”, ka shkruar Fetoshi.
Raportimet për aksionin tregojnë se në ekranet e kamionëve janë shfaqur pamje nga trazirat e marsit 2004, incidente të mëvonshme, protesta të serbëve dhe arrestime, si dhe mesazhe mbështetëse për presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas drejtorit të OCTOPUS-it, vendosja e këtyre ngjarjeve në të njëjtën linjë narrative synon ndërtimin e një imazhi të Kosovës si vend ku dhuna dhe represioni ndaj serbëve paraqiten si fenomen i vazhdueshëm.
Fetoshi vlerëson se togfjalëshi “terrori i Kurtit” është vetëm korniza aktuale e një narrative më të gjerë të përdorur nga mediat serbe dhe ruse kundër Kosovës dhe Perëndimit.
Ai e lidh aksionin në Nju Jork edhe me mesazhet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar t’i adresojë gjatë qëndrimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Para nisjes për në Nju Jork, Vuçiq deklaroi se pozita dhe siguria e serbëve në Kosovë do të jenë ndër temat kryesore të tij, duke akuzuar njëkohësisht Perëndimin për “standarde të dyfishta”.
Sipas Fetoshit, aksioni me kamionët-ekranë funksionon si “vizualizim paralel” i kësaj narrative dhe përkon edhe me komunikimin strategjik rus, në të cilin ndërhyrja e NATO-s më 1999 dhe politika perëndimore ndaj Kosovës paraqiten përmes akuzave për standarde të dyfishta.
“Mbi këtë bazë, kurthi serb dhe rus në Nju Jork është presioni ndaj Perëndimit lidhur me ‘gabimin’ e vitit 1999”, ka shkruar Fetoshi.
Ai konsideron se Serbia synon të ndërtojë një lidhje ndërmjet pretendimeve për krimet e UÇK-së, ndërhyrjes së NATO-s dhe pozitës aktuale të serbëve në Kosovë, ndërsa Rusia, sipas tij, e përdor të njëjtën kornizë për të kontestuar legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s dhe për të akuzuar Perëndimin për “dyfytyrësi”.
Në përfundim, Fetoshi paralajmëron se rëndësia e kamionëve-ekranë nuk duhet parë vetëm si një aksion publik në rrugët e Nju Jorkut, por si pjesë e një beteje më të gjerë narrative dhe të ndikimit politik.
Sipas tij, përmes kësaj fushate në qendrën e vëmendjes diplomatike botërore po projektohen narrativa që mund të synojnë dobësimin e kohezionit perëndimor, rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara dhe stabilitetit në Ballkan.
