GAP: Nga 1 mijë e 816 premtime nga kryetarët e komunave, vetëm 113 prej tyre janë përmbushur

Instituti GAP ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore nga kryetarët e komunave në gjashtëmujorin e parë të qeverisjes. Sipas tyre, prej 1 mijë e 816 premtimeve, vetëm 113 prej tyre janë përmbushur

Ilustrim

Në platformën elektronike “Letërnjoftimi i komunave”, Instituti GAP ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2021.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të mandatit katërvjeçar apo periudhës janar – qershor 2022, nga gjithsej 1 mijë e 816 premtime të evidentuara nga Instituti GAP, 167 premtime apo 9% janë përmbushur, 113 premtime apo 6% janë gjysëm të përmbushura, 392 premtime apo 22% kanë filluar dhe 1 mijë e 144 premtime apo 63% akoma nuk kanë filluar.

Numri më i madh i premtimeve të përmbushura është shënuar në fushën e shërbimeve publike, bujqësisë, arsimit, kulturës dhe atë të sportit, ndërsa numri më i vogël është në fushën e infrastrukturës, ekonomisë dhe urbanizmit.

Për dallim nga përditësimet e bëra në periudhën e njëjtë të mandateve të kaluara, në këtë mandat është shënuar rënie e trendit në përmbushjen e premtimeve në fushën e infrastrukturës, ndërsa trend i përmirësuar vërehet në fushën e bujqësisë dhe atë të kulturës.

Niveli i mbushjes së premtimeve

Premtimet me shkallë të lartë të realizimit janë premtimet që kanë të bëjnë me mirëmbajtje të rrugëve, objekteve dhe hapësirave publike, në subvencionim në fushën e bujqësisë dhe të arsimit, në heqjen ose ndryshimin e disa barrierave administrative, në publikimin e dokumenteve buxhetore dhe të prokurimit publik, në organizimin e panaireve dhe manifestimeve, në hartimin dhe miratimin e rregulloreve dhe vendimeve të premtuara, si dhe në rritjen e përkrahjes për klubet sportive.

Instituti GAP bën monitorimin e realizimit të premtimeve në 27 komuna nga 38 komuna, ngase disa nga kryetarët aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë aktive zgjedhore.

Komunat si Mamusha dhe dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete.

Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna, duke bërë vlerësimin në mënyrë periodike përmes bashkëpunimit me organizatat lokale.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika