Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Adrian Gjini, ka bërë të ditur se partia e tij i ka dërguar përgjigje zyrtare kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas ftesës për diskutime lidhur me krijimin e institucioneve të reja.
Gjini ka thënë se, për hir të transparencës ndaj qytetarëve, ka vendosur ta publikojë përgjigjen zyrtare të Aleancës, duke theksuar se qëndrimi i subjektit të tij politik mbetet ai i shprehur më 26 qershor.
“Për hir të transparencës ndaj qytetarëve, po e ndaj me ju përgjigjen zyrtare të Aleancës që sapo i është nisur Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti. Qëndrimi ynë mbetet ai i datës 26 qershor, i qartë, parimor dhe tërësisht publik”, ka shkruar Gjini.
Në letrën zyrtare, të datës 9 korrik, Aleanca rikujton ofertën e bërë publikisht më 26 qershor për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Sipas dokumentit, Aleanca shprehet e gatshme të kontribuojë pa kushte apo kërkesa për sigurimin e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë pranon gjashtë pikat e ofertës së paraqitur nga kjo parti.
Në letër thuhet se synimi i kësaj oferte është avancimi i zhvillimit ekonomik të Kosovës, forcimi i pozitës ndërkombëtare të vendit dhe shmangia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Po ashtu, Aleanca nënvizon se, duke pasur parasysh qëndrimin e saj të qartë dhe parimor, nuk e sheh të nevojshëm zhvillimin e një takimi lidhur me këtë çështje.
