Gjoni Palokaj po shndërrohet në një nga emrat më të spikatur të OKTAGON MMA. Luftëtari shqiptar, me prejardhje nga Velezha e Prizrenit dhe i rritur në Gjermani, po ndërton një karrierë të suksesshme falë kombinimit të disiplinës gjermane dhe shpirtit luftarak shqiptar.
I formuar që në hapat e parë nga xhaxhai dhe trajneri i tij, David Palokaj, ai ka arritur rezultate të rëndësishme në arenën profesionale. Aktualisht numëron 13 fitore dhe 3 humbje, ndërsa është në seri prej 7 fitoresh radhazi, duke u renditur në mesin e elitës së divizionit të tij.
Sfida e radhës do të jetë vendimtare. Më 17 janar 2026, në Düsseldorf, Palokaj do të përballet me britanikun James Hendin. Dueli, mes luftëtarit të renditur të gjashtin dhe atij të shtatin, pritet të vendosë hyrjen në Top 5 të kategorisë.

Në intervistë për TV Dukagjini, Palokaj ka theksuar se lufton me krenari nën flamurin shqiptar dhe se mbështetja e bashkëkombësve i jep forcë shtesë në kafaz. Synimi i tij afatgjatë mbetet ngjitja në majat e OKTAGON dhe realizimi i ëndrrës për të garuar në UFC.
Përtej sportit, Palokaj është shembull i sakrificës dhe disiplinës. I diplomuar në Inxhinieri Elektronike dhe ish-punonjës në Volkswagen Hannover, ai ka vendosur t’i përkushtohet plotësisht MMA-së, duke u shndërruar në një krenari shqiptare në arenën ndërkombëtare.
