Një ligjëratë mbi Gjykatën Speciale në ambientet e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë ka shkaktuar reagime të ndryshme nga institucione dhe organizata.
Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) kanë konfirmuar për Telegrafin se zhvillojnë aktivitete informuese në Kosovë që nga viti 2018, si pjesë e Programit të Shtrirjes së Informacionit, duke përfshirë nxënës, komunitetin lokal, gazetarë dhe avokatë.
Zëdhënësja Angela Griep tha se këto takime diskutojnë mbi mandatin dhe procedurat e gjykatës, duke ofruar informacion publik të ngjashëm me atë që gjendet në faqen zyrtare të KSC-së.
“Ekipi i informimit i Dhomave të Specializuara këtë javë po zhvillon aktivitete për të informuar grupet studentore në Prishtinë rreth mandatit dhe procedurave të gjykatës, si dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet në përgjigje. Siç e dini, që nga viti 2018 ne kemi zhvilluar rregullisht aktivitete me qytetarë në të gjithë Kosovën si pjesë e programit të informimit, duke dëgjuar komentet e njerëzve dhe duke u përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet në përgjigje me shkrim për Telegrafin.
Megjithatë, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka reaguar, duke paralajmëruar masa ndaj organizatorëve të ligjëratës.
Sipas Drejtorisë, aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR) dhe është miratuar nga Këshilli Drejtues i Shkollës, pa autorizimin e Drejtorisë.
Drejtoria e Arsimit ka theksuar se do të trajtojë përgjegjësitë institucionale dhe rolin e organizatës në aktivitet, duke e konsideruar transparencën dhe llogaridhënien parime të panegociueshme.
Nga ana e shkollës, është sqaruar se asnjë zyrtar apo gjykatës i Dhomave të Specializuara nuk ka mbajtur ligjëratë.
Sipas shkollës “Xhevdet Doda”, ligjërata ka qenë një aktivitet edukativ i YIHR-së mbi sistemin e drejtësisë dhe funksionimin e gjykatave, duke përfshirë edhe Gjykatën Speciale në Hagë.
Shkolla thekson se YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në shkolla dhe fakultete në të gjithë Kosovën.
Reagim ka pasur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), e cila ka kritikuar aktivitetin si përpjekje për kontroll të imazhit të Gjykatës Speciale dhe ka krahasuar qasjen me praktikën e propagandës në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1980.
OVL-UÇK ka theksuar se gjykata duhet të respektojë Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë./Telegrafi
