Qeveria e Greqisë ka prezantuar një paketë të re masash ekonomike për të zbutur ndikimin e krizës së shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis bëri të ditur se janë paraparë rreth 300 milionë euro subvencione, të fokusuara në disa sektorë kyç.
Sipas tij, shteti do të ndërhyjë në uljen e kostos së karburantit duke subvencionuar me 16 cent për litër në rrjetin e shpërndarjes, çka pritet të reflektohet në një ulje deri në 20 cent për litër për konsumatorët dhe profesionistët.
Njëkohësisht, për të mbrojtur familjet nga rritja e çmimeve të naftës, do të ofrohet një mbështetje shtesë përmes një Karte Dixhitale të Karburantit.
Në sektorin bujqësor, qeveria do të subvencionojë 15% të kostos së plehrave kimike për fermerët, duke synuar lehtësimin e barrës financiare në këtë industri.
Po ashtu, është paraparë edhe një kompensim i veçantë për kompanitë e transportit detar bregdetar, i cili do të kushtëzohet me zbatimin e zbritjeve të detyrueshme në çmimet e biletave.
Mitsotakis theksoi se këto masa janë të mundura falë performancës pozitive të ekonomisë dhe menaxhimit të kujdesshëm fiskal, duke shtuar se ato synojnë të rrisin qëndrueshmërinë sociale në kohë të pasigurta.
Ai paralajmëroi gjithashtu se qeveria do të ruajë rezerva financiare, duke pasur parasysh pasiguritë rreth kohëzgjatjes së konfliktit dhe mundësinë e përkeqësimit të situatës ekonomike globale.
Në përfundim, kryeministri grek nënvizoi se qeveria do të vazhdojë të qëndrojë pranë qytetarëve në çdo sfidë, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe kohezionit shoqëror për përballimin e krizave.