Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kenë qëndrim unik në votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Duke folur në Kuvend, Hamza ka thënë se PDK-ja nuk kërkon që të pengohet drejtësia apo që krimet të mos hetohen, por ka kërkuar që procesi të bazohet në prova dhe fakte.
“Ne nuk po kërkojmë të mos ketë drejtësi apo të mos gjykohet krimi. Nuk po e mbyllim gjykatën. Po kërkojmë mbikëqyrje, po kërkojmë zbatim të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka theksuar se, sipas tij, vendimet duhet të merren vetëm mbi bazën e provave dhe fakteve, e jo mbi dëshmi të pakonfirmuara.
Hamza ka thënë gjithashtu se Kuvendi, si organi legjislativ dhe themelues i Dhomave të Specializuara, duhet të ketë mekanizma mbikëqyrës dhe llogaridhënie për punën e tyre.
Hamza ka përsëritur qëndrimin e tij se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për çlirimin e Kosovës dhe ka kundërshtuar përpjekjet për ta lidhur atë me veprimtari kriminale.