Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar zhvillimet e mbrëmshme ku deputetët dështuan në zgjedhjen e presidentit teksa vendin e presin zgjedhjet e reja.
Haradinaj thotë se mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë, siç thotë ai, ‘populistit’ Albin Kurti, njofton Dukagjini.
Tutje, Haradinaj thotë se mes tjerash ka fituar edhe vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik.
“Mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë populistit Albin Kurti. Ka fituar vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik e faktorit politik se nuk do të lejohet shkatërrimi i rendit politik e kushtetues të vendit. Ka fituar koncepti se nuk ka individ e as parti që mund ta rrezikojë ekzistencën e shtetit. Megjithëse me ditën e djeshme Kosova i ka rrumbullaksuar gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet, prej sot nis një etapë e re për shtetin”, ka shkruar Haradinaj.
I pari i AAK-së thotë se mbrëmë është “përmbysur koncepti i partisë-shtet”, duke akuzuar Kurtin për tendenca autokratike.
“Mbrëmë është përmbysur koncepti i partisë-shtet, ku një individ provon të bëhet mbret. Është përmbysur autokrati Albin Kurti. Tash fjalën e ka sovrani, i cili mban mend e nuk falë. Vendimmarrja i është kthyer atij. Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj, kemi qenë bashkëpunues e të ndershëm sa s’ka për ta kaluar këtë krizë politike, por të tjerët ishin dehur pas pushtetit duke e harruar shtetin. Për Kosovën deri në frymën e fundit!”, ka shkruar Haradinaj.
