Haradinaj në rivarrimin e dëshmorit Gjocaj: Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë këtë të shtunë në rivarrimin e dëshmorit Agron Gjocaj në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Baballoq të Deçanit.

Haradinaj vlerësoi lartë dëshmorin duke e kujtuar Gjocajn si një ushtar të guximshëm dhe të përpiktë, gjithmonë në vijën e parë të frontit në Zonën e Dukagjinit, njofton Dukagjini.

“Agron Gjocaj ishte ushtar i përpiktë dhe i guximshëm, gjithmonë në vijën e parë të frontit, kudo që e kërkonte nevoja në Zonën e Dukagjinit. I lindur në Baballoq të Deçanit, i rritur dhe i edukuar në frymën patriotike nga prindërit Sadri dhe Zejnepe Gjocaj, Agroni iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare bashkë me vëllanë e tij Dinën, me Faikun, Samiun dhe me axhën Rexhepin, duke i dhënë familjarisht kuptim sakrificës për liri. Përveç trimërisë së dëshmuar në shumë beteja, ai u angazhua edhe në furnizimin me armatim, që ishte jetike për rrjedhën e luftës, deri në ditën kur ra dëshmor në altarin e lirisë, më 18 gusht, te trekufiri, bashkë me Avni Bali Sinanajn dhe Milaim Rexhë Gjocajn”.

Mes tjerash, Haradinaj u shpreh se kujtimi për Gjocajn do të mbetët gjithmonë i gjallë.

“Nga sot, trupi i tij do të prehet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Baballoq, pranë bashkëluftëtarëve të tij. Lavdia e Agron Gjocajt është e përjetshme dhe kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona. Mirënjohje e përjetshme për shërbimin ndaj atdheut”, ka shkruar Haradinaj.

Të fundit nga rubrika