Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nuk mund të thërrasë seancë për zgjedhjen e presidentit, pasi deri tani është pranuar vetëm një kandidaturë.
Sipas saj, kandidatura e vetme është propozuar nga 30 deputetë dhe ka mbështetjen e një pjese të deputetëve të Grupit Parlamentar të LVV-së si dhe disa deputetëve nga grupi multietnik.
“Deri në këtë moment kam pranuar vetëm një kandidaturë për president. Kjo kandidaturë është propozuar nga 30 deputetë nënshkrues. Sipas dokumentacionit zyrtar, një pjesë e deputetëve nga GP i LVV si dhe disa deputet nga grupi multietnik kanë nominuar Glauk Konjufcën për kandidat për president”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se sipas Kushtetutës së Kosovës dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, procedura për zgjedhjen e presidentit kërkon të paktën dy kandidatë të vlefshëm.
Pa plotësuar këtë kusht, ajo ka theksuar se procesi i votimit nuk mund të fillojë.
“Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, dhe në interpretimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit kërkon që në proces të jenë së paku dy kandidatë të vlefshëm. Procesi i votimit nuk mund të fillojë pa u përmbushur ky kusht themelor procedural…Si rrjedhojë, derisa nuk kemi dy kandidatë që kanë siguruar mbështetjen e nevojshme prej 30 deputetësh, unë nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka shtuar se mund të ketë kërkesa për seanca të jashtëzakonshme, por zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet pa dy kandidatë.
“Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhje të presidentit nuk mund të ketë pa i pasur së paku dy kandidatë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026, pra kemi më pak se 30 ditë deri në përfundim të këtij afati që e bën situatën më urgjente. Ftojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tash nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe ta shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, ka thënë tutje Haxhiu në konferencë për media.
