Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka lëshuar kritika ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, duke e akuzuar atë se “nuk e fsheh përçmimin” ndaj Izraelit dhe se ka bërë komente “skandaloze” lidhur me një protestë të zhvilluar muajin e kaluar në një sinagogë në Manhattan.
Gjatë një fjalimi në një event gala të organizuar nga Universiteti Yeshiva në Nju Jork, Herzog theksoi se zhvillimet e fundit në qytet përbëjnë “një alarm serioz”, sipas një deklarate të zyrës së tij.
“Këtu, ne shohim ngritjen e një kryetari të ri të zgjedhur i cili nuk bën asnjë përpjekje për të fshehur përbuzjen e tij për shtetin demokratik hebre të Izraelit, i vetmi shtet kombëtar i popullit hebre”, ka thënë Herzog, shkruan Times of Israel.
Ai iu referua gjithashtu protestave anti-Izrael që u zhvilluan jashtë një aktiviteti në një sinagogë në Manhattan, ku promovoheshin programet për emigrimin drejt Izraelit.
Sipas tij, reagimi i Mamdanit ishte i papranueshëm.
“Përgjigja e kryetarit të ardhshëm të bashkisë ishte të sugjeronte se hebrenjtë që e konsiderojnë përmbushjen e ëndrrës përfundimtare sioniste për të bërë Aliyah po shkelin ligjin ndërkombëtar dhe shenjtërinë e sinagogës. Kjo retorikë është skandaloze”, ka shtuar presidenti izraelit.
Herzog paralajmëroi se delegjitimimi i së drejtës së popullit hebre për t’u kthyer në atdheun e tyre historik dhe te ëndrra e lashtë për Jerusalemin ushqen dhunën dhe minon lirinë e fesë.
“Delegjitimimi i të drejtës së popullit hebre për atdheun e tyre të lashtë dhe ëndrrës së tyre shekullore për Jerusalemin legjitimon dhunën dhe minon lirinë e fesë”, ka thënë ndër të tjera Herzog.
Presidenti izraelit foli edhe për rritjen shqetësuese të antisemitizmit në SHBA, veçanërisht në Nju Jork.
“Antisemitizmi institucional, përmbysja e Holokaustit, teoritë konspirative, urrejtja ndaj hebrenjve e platformave në mediat sociale dhe falimentimi moral i maskuar si drejtësi sociale janë rritur të gjitha në mënyrë shqetësuese”, ka thënë Herzog.