Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës( LDK), Avdullah Hoti, në seancën e 24 tetorit në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për Strategjinë Kombëtare të viteve 2022-2027, ka arsyetuar kritikat e opozitës, duke thënë se ata kanë të drejtë të debatojnë për një gjë të tillë, sepse siç thotë ai, kanë munguar komunikimet ndërinstitucionale për këtë dokument.
Si arsye të dytë të këtij debati, ai ka thënë se nga koha kur është përgatitur ky dokument tashmë ka ndryshime rrënjësore në sektorin e sigurisë.
“Rrethanat e sigurisë që e determinojnë sigurinë e një vendi, kanë ndryshuar rrënjësisht. Ky dokument nuk i reflekton disa prej ndryshimeve që kanë ndodhur në regjion dhe në botë”.
Sipas tij, ky dokument duhet t’i trajtojë çështjet kapitale, nga viti 2008 deri në vitin 2020, pasi siç thotë ai, konjuktura e sigurisë ka qenë stabile.
Ai ka thënë se në këtë dokument, po ashtu, mungon analiza e riskut demografik, pasi sipas tij, ka ndryshuar qasja e qytetarëve ndaj migrimit.
“Nuk diskutohet as për migrim, as për infrastrukturën teknike, për energji”, ka vijuar ai.
Ai ka propozuar që ky dokument për strategji të rikthehet në komision dhe të adresojë çështjet, të cilat i kanë kërkuar deputetët.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke prezantuar Strategjinë Kombëtare të Sigurisë për vitet 2022-2027, ka thënë se është e dyta me radhë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Kreu i Qeverisë ka thënë se kjo është strategjia ombrellë e sigurisë së Kosovës, e cila paraqet mundësinë dhe vizionin për të ardhmen e vendit.
Ai ka thënë se me anë të kësaj strategjie, i është dhënë vëmendje e veçantë institucioneve të sigurisë.
“I kemi rritur 52 për qind buxhetin për forcën e sigurisë së Kosovës, 63 milionë sa ishte vitin e kaluar, tashmë është 102 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhetin më të madh në historinë e forcës së sigurisë së Kosovës, duke e përafruar si shifër me vendet e NATO-s.
Kurti: Qeveria jonë ka ndarë buxhetin më të madh në histori për FSK-në