“I çmendur brenda profesionit” – Haxhiu flet për pyetjen drejtuar Millosheviqit në vitin 1991

Gazetari Baton Haxhiu në një intervistë për Radio Dukagjinin ka rrëfyer se si kishte filluar rrugëtimi i tij për në konferencën e vitit 1991 në Slloveni, ku Kosova nuk merrte pjesë në atë që quhej ndarje nga Jugosllavia, por siç ka thënë ai, duhej që atëherë ta kishte një zë Kosova dhe ky zë erdhi me pyetjen e tij drejtuar Sllobodan Millosheviqit

Gazetari Baton Haxhiu i ftuar në Radio Dukagjini në emisionin "Radar" me Edita Doli, 25 prill 2023.

Duke folur për jetën e tij profesionale, gazetari Baton Haxhiu ka kujtuar edhe ditën e 6 marsit të vitit 1991, kur Sllobodan Millosheviqit, në një konferencë të përbashkët me presidentin e atëhershëm të Kroacisë, Franjo Tugjman, iu kishte drejtuar me pyetje thumbuese në emër të popullit shqiptar.

Haxhiu ishte vetëm 23 vjeç kur pati guximin të jetë në Slloveni ku ishin mbledhur kryetarët e Republikave të Jugosllavisë, dhe i kishte bërë pyetje Millosheviqit se kur do të largohet politika serbe nga mitologjia e shekullit 19-të dhe t’i lejojë shqiptarët ta arrijnë të drejtën e tyre legjitime.

“Gjithashtu, nëse bën, kam një pyetje për Z. Millosheviq. Kriter modern për krijimin e shtetit janë numri i banorëve dhe vullneti politik i popullatës. Kur do të lirohet politika serbe nga mitologjia e shekullit të 19-të dhe t’i lejojë popullit shqiptar në Kosovë ta arrijë të drejtën legjitime që i takon e që është, ta ketë Republikën e vet, si shpresoj unë, në Unionin e ardhshëm të republikave sovrane?”, kishte pyetur Haxhiu.

Por, ai në një intervistë për emisionin “Radar”Radio Dukagjinit ka rrëfyer se si kishte nisur rrugëtimi i tij për në konferencën në Slloveni, ku Kosova nuk merrte pjesë në atë që quhej ndarje nga Jugosllavia.

“Ka qenë një situatë interesante, kemi qenë në shtëpinë e Migjen Kelmendit, i cili sapo kishte hapur gazetën Epoka, atëherë sapo kisha botuar librin e parë timin “Kosova dhe ruleti ndërkombëtar”, dhe duhej që atëherë ta kishte një zë Kosova”, ka thënë Haxhiu.

Udhëtimi nga Kosova për në Slloveni 

“Edhe si sot më kujtohet një gazetar slloven që kishte lidhje me atë që organizonin konferencën në Bordo të Kranit. Unë thashë do të nisem me tren dhe vetëm unë e di se çfarë rruge ka qenë deri atëherë. Atje takova Besa Çekun nga Radio Prishtina, dhe e dija se e kisha marrë sinjalin që mund të bëj pyetje. Por, pyetja do të duhej ose të ishte tamam ose hiç”, ka treguar tutje ai.

Ai këtë përvojë të tij e ka quajtur përveçse guxim edhe çmenduri për të, pasi siç ka thënë ai, “të jesh i çmendur brenda profesionit, do të thotë të kesh një ambicie ta përçosh mesazhin përtej gazetarit, por edhe njeriut që i takon një kombi të përvuajtur”.

Çfarë ndodhi pas pyetjes?

Momenti kryesor i pyetjes së tij ndaj Millosheviqit ishte shumë i veçantë, pasi Kosova nuk bëhej hesap fare, dhe as nuk ekzistonte në tregun ndërkombëtar.

Por, Haxhiu ka thënë se reagimet e tyre pas pyetjeve ishin shokuese, për arsye që ishte përmendur Republika e Kosovës, dhe kjo siç ka thënë ai, ishte problem që publikisht ta thuaje atë në aso atmosfere.

“Unë nuk e di as sot se ku e kam marrë guximin”, është shprehur ai.

“Problemi ishte kthimi në Kosovë, dhe atë kohë kam folur vetëm më Migjenin, i kam thënë bëhu gati çfarëdo që ndodh sepse unë fola në emër të popullit. Dhe ky ishte ndoshta një prej momenteve të rinisë time që ishte guxim më shumë se diçka tjetër”, ka thënë ai.

Gjithashtu, gjatë intervistës Haxhiu ka kujtuar edhe momentin kur mediat britanike kishin raportuar se ai ishte vrarë nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Lajmin për “vdekjen” e tij, gazetari Haxhiu e kishte treguar se teksa ishte i fshehur në një shtëpi në njërën prej lagjeve të Prishtinës, dëgjoi lajmet e BBC-së në radio duke raportuar për “vrasjen e tij” nga forcat serbe.

Mbas asaj dite, ai ka thënë se i ka dëgjuar krejt fjalët më të mira për të si: “më i madhi, më i miri, shkruanin gazetat e gjithë botës, televizionet gjithë ata që më kanë njohur gjatë luftës”.

Por, ai ka thënë se pjesa më e rëndë e këtij përjetimi ka qenë që familja e tij e kanë hapur derën dhe njerëzit kanë shkuar për ngushëllime.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika