Një incident i rëndë në qendër të Washington DC ka rikthyer në qendër të debatit programet e emigrimit për afganët që bashkëpunuan me forcat amerikane gjatë luftës në Afganistan.
Rahmanullah Lakanwal, 29 vjeç, i akuzuar për plagosjen e dy pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore, rezulton të ketë qenë pjesë e forcave afgane që operonin nën mbikëqyrjen e CIA-s, si dhe pranë inteligjencës afgane para rënies së Kabulit në vitin 2021.
Sipas autoriteteve amerikane, Lakanwal akuzohet se udhëtoi me makinë nga shteti i Uashingtonit deri në kryeqytetin federal për të kryer atë që prokurorët e përshkruajnë si
“sulm të synuar”.
Viktimat, Sarah Beckstrom, 20 vjeçe, dhe Andrew Wolfe, 24 vjeç, u qëlluan nga afërsia pranë Farragut Square, disa blloqe larg Shtëpisë së Bardhë. Të dy mbeten në gjendje kritike.
Lakanwal kishte shërbyer si pjesë e njësisë së njohur si Scorpion Forces, fillimisht nën drejtimin e CIA-s dhe më pas të Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë së Afganistanit. Një ish-komandant i tij tha për BBC se ai ishte “sportiv, gazmor dhe specialist i pajisjeve GPS”.
Ai kishte ndihmuar në ruajtjen e sigurisë së Aeroportit të Kabulit gjatë evakuimit kaotik të vitit 2021, vetëm disa ditë para se të evakuohej edhe vetë drejt SHBA.
Me mbështetje dypartiake, administrata Biden kishte krijuar programin Operation Allies Welcome, që mundësoi hyrjen e rreth 77,000 afganëve në SHBA pas tërheqjes së trupave amerikane. Lakanwal hyri në vend përmes këtij programi dhe iu dha qëndrim humanitar. Kërkesa e tij për azil u pranua në fillim të vitit 2024, ndërsa ajo për green card mbetet në proces shqyrtimi.
Prokurorja amerikane për Distriktin e Kolumbisë, Jeanine Pirro, tha se sulmi ka qenë “i planifikuar dhe i synuar”, ndërsa kreu i FBI Kash Patel konfirmoi se Lakanwal kishte pasur “marrëdhënie pune me forcat partnere amerikane në Afganistan”.
Sipas akuzës, ai rrezikon më shumë se një dekadë burg nëse shpallet fajtor për tre akuza të sulmit me qëllim vrasjen dhe posedim arme gjatë kryerjes së një krimi të dhunshëm.
Lakanwal vetë ndodhet ende në spital nën kujdes policor, për shkak të plagëve të marra gjatë ndalimit nga ushtarët e tjerë të Gardës Kombëtare.
Presidenti Donald Trump e quajti ngjarjen “akt terrori” dhe njoftoi pezullimin e të gjitha kërkesave të reja të emigracionit nga Afganistani.
Ai tha gjithashtu se do të rishikojë të gjithë dosjet e afganëve që hynë në SHBA pas vitit 2021 dhe ka urdhëruar një kontroll të gjerë mbi aplikimet për green card nga vendet që ai i cilëson “të rrezikshme”.