Ibishi për targat: Është dhënë mjaft kohë, nuk ka nevojë të shtyhet afati

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi për Radio Dukagjini në lidhje me targat e automjeteve dhe kthimin e atyre ilegale në RKS ka thënë se nuk ka nevojë të shtyhet afati dhe se është dhënë mjaft kohë

Nuredin Ibishi

“Realisht është dhënë mjaft kohë për targat, shtrohet pyetja sa kemi punuar ndërkohë që kjo situatë të zgjidhet para se të vjen afati i skadencës”.

Kështu ka deklaruar njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se nuk do të ketë shtyerje të afatit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për targat e automjeteve dhe kthimin e atyre ilegale në RKS.

Ibishi në emisionin “Magazina” në Radio Dukagjini me Blerina Neziri e Lirik Sylmetaj ka thënë se nëse nuk ka shtyerje të afatit për targa, rreziku për përshkallëzim të situatës varet nga lidershipi serb.

Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë i ftuar në emisionin “Magazina” me Blerina Neziri e Lirik Sylmetaj

“E dimë opinionin e komunitetit serb në veri, realisht ata i nxisin në momentin e duhur dhe në moment të fundit vendosin për tensionim të situatës”.

Ndërsa sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, draft i cili po qarkullon në media, Ibishi ka thënë se kjo është çështja më e rrezikshme që mund t’i ndodhë Kosovës.

“Qeveria është dashur të bëjë një draft dhe ta plasojë atë, përpara se dikush tjetër të japë një draft, do sjellë telashe të mëdha dhe Kosova do jetë e tensionuar nga ndikimi i serbëve”, ka thënë tutje Ibishi.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk ka ndërruar mendje sa i përket zbatimit të marrëveshjes për targat e automjeteve dhe kthimin e atyre ilegale në RKS.

Kurti, pas Samitit të Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, deklaroi se vendimi është shtyrë një herë.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit. Më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë më datën 1 tetor është data 1 nëntor ose më mirë të them që në vend se të jetë më 30 shtator data e fundit është 31 tetori”, ka thënë Kurti.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ditë më parë gjatë vizitës së tij në Kosovë, deklaroi se ka kërkuar nga pala kosovare që vendimi të shtyhet edhe për dhjetë muaj.

Këtë kërkesë, Escobar kishte thënë se ia ka bërë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po ashtu sikurse Kurti deklaroi se vendimi nuk do të shtyhet.

Ndonëse Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim, megjithatë insiston në kërkesën paraprake që Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj.

 

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika