Identifikohen ushtarët e parë amerikanë të vrarë në konfliktin me Iranin

Ushtria amerikane ka bërë publik identitetin e ushtarëve të parë të vrarë në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Gjashtë ushtarë humbën jetën pasi një sistem ajror pa pilot arriti të shmangë mbrojtjen ajrore dhe të godasë një qendër komanduese në Port Shuaiba, në Kuvajt, të dielën, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara fillimisht njoftoi për tre të vdekur, por të hënën konfirmoi se numri i viktimave ishte dyfishuar, pasi një i plagosur ndërroi jetë dhe dy trupa të tjerë u gjetën nën rrënoja.

Këta gjashtë ushtarë janë viktimat e vetme të konfirmuara nga ushtria amerikane që prej nisjes së luftës së re kundër Iranit, në bashkëpunim me Izraelin.

Katër prej të ndjerëve, të gjithë pjesëtarë të Rezervës së Ushtrisë Amerikane, u identifikuan të martën: Kapiten Kodi Kork, 35 vjeç; Rreshter Noa Tietjens, 42 vjeç; Rreshter Nikoll Amor, 39 vjeç; dhe Rreshter Deklan Koudi, 20 vjeç.

Kork, banor i Floridës, kishte shërbyer më parë në Arabinë Saudite, në Gjirin e Guantanamos dhe në Poloni.

Amor, nga Minesota, kishte shërbyer në Kuvajt dhe në Irak, ndërsa Tietjens nga Nebraska kishte kryer dy misione të mëparshme në Kuvajt. Të tre ishin të dekoruar për shërbimin e tyre.

Koudi, nga Ajova, ishte promovuar pas vdekjes nga grada specialist, sipas ushtrisë amerikane. Ai ishte regjistruar në Rezervën e Ushtrisë vetëm tre vite më parë.

Në një konferencë për shtyp të hënën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegseth, deklaroi se një “armë e fuqishme” kishte goditur një “qendër operacionale taktike të fortifikuar”.

Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie të gjatë mbrojtjeje me Kuvajtin dhe mbi 13,000 ushtarë amerikanë janë të stacionuar në këtë vend të Gjirit.

Irani ka reaguar ndaj sulmeve kundër tij duke lëshuar raketa drejt vendeve të Gjirit aleate me Shtetet e Bashkuara.

Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Omani dhe Katari kanë raportuar gjithashtu sulme.

Veçmas, në Kuvajt, Shtetet e Bashkuara konfirmuan se tre avionë luftarakë u rrëzuan pas një incidenti të cilësuar si “zjarr miqësor” të hënën. Pamjet treguan avionët duke rënë në tokë, ndërsa pilotët arritën të katapultoheshin dhe mbijetuan.

Media shtetërore iraniane pretendoi se avionët ishin rrëzuar nga ushtria iraniane, pa paraqitur prova.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika