Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në vend do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme, ndërsa në orët e mesditës dhe pasdites priten zhvillime të motit të paqëndrueshëm.
Sipas IHMK-së, “gjatë orëve të mesditës dhe pasdites pritet zhvillim i vranësirave konvektive, të cilat vende-vende do të shoqërohen me reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh.”
Instituti njofton se në disa zona të izoluara mund të ketë edhe “rrebeshe më intensive të shiut, erëra të përkohshme të fuqishme dhe paraqitje të breshrit.”
Po ashtu, IHMK thekson se “reshjet do të kenë karakter lokal dhe nuk do të përfshijnë tërë territorin e vendit”, duke bërë të ditur se në disa rajone mund të ketë stuhi afatshkurtra, ndërsa në rajone të tjera moti do të mbetet kryesisht i thatë.
Temperaturat maksimale gjatë ditës do të lëvizin nga 31 deri në 33 gradë Celsius, ndërsa era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, duke u fuqizuar përkohësisht në zonat ku zhvillohen proceset stuhore.
Në fund, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që “të ndjekin njoftimet dhe përditësimet zyrtare të motit, si dhe të tregojnë kujdes gjatë aktiviteteve në ambiente të hapura në rast të paraqitjes së bubullimave, erërave të forta dhe reshjeve intensive.”