Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, pas një incidenti që ndodhi pas mesnatës në rrugën “Dervish Qollaku” në Prishtinë.
Sipas njoftimit të IPK-së, rasti fillimisht ishte raportuar si rrahje në progres mes disa personave, ku dyshohej se ishte përfshirë edhe zyrtari policor, i cili ndodhej jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile.
Pas ndërhyrjes në vendin e ngjarjes dhe zhvillimit të veprimeve hetimore, IPK ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Pas pranimit të informacioneve hetuesit e Inspektoratit Policor i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, është arrestuar zyrtari policor (jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile) me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” të cilit me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e përkohshëm ndaj zyrtarit në fjalë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve”, thuhet në njoftim.