Irani ka njoftuar se marrëdhëniet me vendet e Gjirit do të kërkojnë një “rishikim serioz” pas luftës SHBA-Izrael ndaj tij, për të kufizuar ndikimin e aktorëve të jashtëm dhe për t’i dhënë rajonit mundësinë të bëhet prosperues, tha të dielën ambasadori iranian në Arabinë Saudite, Alireza Enayati, për Reuters.
Kur u pyet nëse ai shqetësohej se lufta mund të dëmtonte marrëdhëniet, Enayati tha se “është një pyetje e vlefshme, dhe përgjigjja mund të jetë e thjeshtë. Ne jemi fqinj dhe nuk mund të bëjmë pa njëri-tjetrin; do të na duhet një rishikim serioz.”
Ai shtoi se ajo që ka ndodhur në rajon gjatë pesë dekadave të fundit është rezultat i një qasjeje ekskluzive dhe një varësie të tepruar nga fuqitë e jashtme, duke bërë thirrje për lidhje më të thella midis gjashtë anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), së bashku me Irakun dhe Iranin.
Që nga shpërthimi i luftës më 28 shkurt, vendet arabe të Gjirit kanë pësuar më shumë se 2,000 sulme me raketa dhe dronë, duke targetuar misione diplomatike dhe baza ushtarake të SHBA-së, por edhe infrastrukturën kritike të naftës, portet, aeroportet, hotelet dhe ndërtesat banimi dhe zyrash.
Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat normalizuan marrëdhëniet me armikun historik të Iranit, Izraelin, në 2020, kanë pësuar sulmet më të mëdha, megjithëse të gjitha vendet e Gjirit janë prekur dhe kanë dënuar Iranin.
Enayati mohoi të ishte Irani përgjegjës për sulmet ndaj infrastrukturës së naftës së Arabisë Saudite, përfshirë rafinerinë Ras Tanura dhe dhjetëra sulmet e dështuar me dronë ndaj fushës së naftës Shaybah pranë kufirit me UAE.
“Irani nuk është pala përgjegjëse për këto sulme, dhe nëse do t’i kishte kryer, do ta kishte bërë të ditur,” tha ai, pa treguar se kush i kishte kryer ato.
Ambasadori tha se Irani po sulmon vetëm objektivat dhe interesat e SHBA-së dhe Izraelit dhe se ai personalisht është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët sauditë, me marrëdhënie që “po zhvillohen natyrshëm” në shumë fusha.
Ai përmendi bashkëpunimin saudit për largimin e iranianëve që ishin në Mbretërinë Saudite për pelegrinazhe fetare dhe për ofrimin e ndihmës mjekësore për të tjerët, raporton Reuters.
Enayati shtoi se Teherani është në kontakt me Riadin për pozicionin publik të Arabisë Saudite se toka, deti dhe ajri i saj nuk do të përdoren për të sulmuar Iranin, pa dhënë më shumë detaje. Mesazhi i tij për vendet e Gjirit ishte se lufta “na është imponuar neve dhe rajonit”.
Për të zgjidhur konfliktin, SHBA dhe Izraeli duhet të ndalojnë sulmet, vendet rajonale të mos përfshihen dhe duhet të sigurohen garanci ndërkombëtare për të parandaluar përsëritjen e tyre, tha ai.
“Vetëm atëherë mund të përqendrohemi në ndërtimin e një rajoni prosperues”.