Sot Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë mbajtur konferencë përgatitore.
Për këtë, ish-presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar fjalën ku shprehu revoltën e tij për mbajtjen e kësaj seance për 28 nëntor, duke iu drejtuar gjykatësit, se caktimi i seancës për sot do të duhej të shmanget dhe se gjërat që s’i lejojnë në shtetet e tyre të mos i lejojnë në Kosovë.
Me deklarimin e Thaçi, është pajtuar ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.
Postimi i plotë:
Dakord!!
Thaçi kritikon Dhomat e Specializuara për mbajtjen e seancës më 28 nëntor (media)
Të gjitha faqet e lajmeve raportojnë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë, kritikoi Dhomat e Specializuara për mbajtjen e një seance më 28 nëntor. Ai argumentoi se është në interes të gjykatës të mos bëjë gjëra që nuk ndodhin në shtetet e palëve përkatëse. “E mirëpres mbajtjen e seancës dhe prandaj jam këtu sot, sepse jam i vendosur të respektoj shtetin e së drejtës. Është në interes të kësaj gjykate që gjëra që nuk mund të ndodhin në shtetet tuaja përkatëse të mos ndodhin as këtu,” tha ai.
Thaçi u shpreh se, si çdo popull tjetër, edhe shqiptarët e kanë historinë e tyre dhe se mbajtja e seancës më 28 nëntor ishte një befasi e pakëndshme për të dhe për shqiptarët. “Si çdo popull tjetër, edhe ne shqiptarët kemi historinë tonë kombëtare dhe shtetërore, traditat dhe vlerat. Mendoj se mbajtja e kësaj seance më 28 nëntor duhej të ishte shmangur. Sot çdo shqiptar ka një festë kombëtare, shtetërore dhe familjare, sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë sonë kombëtare,” argumentoi ai.