Një ish-anestezist në Francë është dënuar me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për helmimin e qëllimshëm të 30 pacientëve, prej të cilëve 12 humbën jetën.
Gjykata në qytetin Besançon, në lindje të Francës, e shpalli Frédéric Péchier fajtor për kontaminimin e qeseve të infuzionit me substanca që shkaktonin arrest kardiak ose gjakderdhje fatale, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Hetimet ndaj Péchier nisën para tetë vitesh, kur ai u vu nën dyshim për helmimin e pacientëve në dy klinika në Besançon, gjatë periudhës 2008–2017.
Gjatë seancave gjyqësore, prokurorët e cilësuan atë si “Doktor Vdekja”, duke deklaruar: “Ju jeni një helmues, një vrasës. Keni turpëruar të gjithë mjekët. E keni shndërruar këtë klinikë në një varrezë.”
Péchier ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë. Sipas ligjit francez, ai ka afat 10 ditë për të paraqitur ankesë ndaj vendimit.