Ish-gazetari i RTP-së: UÇK-ja s’ka pasur hierarki strikte

Dëshmitari Nuhi Bytyçi ka deklaruar në Hagë se nuk dëshiron që libri i tij "Libri i Luftës" të përdoret si dëshmi nga Gjykata dhe Prokuroria Speciale për të akuzuar ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se gjatë luftës ka punuar si gazetar i pavarur dhe vullnetar për të informuar mbi situatën në Kosovë

Nuhi Bytyçi gjatë dëshmisë në Hagë.

(E përditësuar) Ish-gazetari i Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), Nuhi Bytyçi, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka pasur hierarki strikte siç e kanë ushtritë e rregullta.

Ai ka deklaruar se në disa zona ka pasur vështirësi për të xhiruar edhe pse ishte nën prezencën e Hashim Thaçit.

“Nuk kanë pas ndonjë hierarki strikte siç kanë ushtritë e rregullta, sepse unë kam pasur vështirësi në disa zona të luftës, sidomos në Dukagjin. Kam shkuar bashkë me z. Thaçi i cili ka qenë përgjegjës për informim, por ushtarët që kanë qenë në komandën e z.Ramush Haradinaj nuk kanë me lejuar të bëjë filmimin bashkë me kameramanin tim Abaz Zekën. Po ashtu, edhe në Zatriç të Rahovecit kam shkuar që të xhiroj dhe komandanti lokal, Idriz Vehapi, edhe pse ka qenë i pranishëm z.Hashim Thaçi, nuk me ka lejuar të xhiroj. Kjo dëshmon se vërtet nuk ka pasur ndonjë hierarki strikte në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar dëshmitari.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se ai kishte shkuar për të raportuar dhe se nuk i ka interesuar organizimi dhe strukturën e UÇK-së, por që më pas tha se e kishte vërejtur që një hierarki nuk ekzistonte aty.

“Nuk me ka interesuar as organizimi as struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam bashkëpunuar me njerëzit kompetentë që kanë qenë në atë periudhë për komunikim me gazetarët siç ka qenë z.Hashim Thaçi- përgjegjës për informim dhe zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Me këta dy persona kam bashkëpunuar në mënyrë intensive në zonat e luftës, kurse në Prishtinë kam bashkëpunuar ngushtë me përfaqësuesin e përgjithshëm politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, z.Adem Demaçi”, ka thënë dëshmitari.

Prokurori Halling u fokusua te një takim që dëshmitari kishte pasur me Rexhep Selimin gjatë kohës së luftës, në të cilin ai e kishte pasqyruar në libër që ka marrë kritika nga tashmë i akuzuari për mënyrën e raportimit gjatë asaj periudhe.

“Kam pasur me z.Rexhep Selimi dhe kishte shumë të drejtë që thoshte, jo vetëm anëtarët e UÇK-së, por edhe i gjithë populli nuk ishte i kënaqur me informimin që bëhej në atë kohë në Radiotelevizionin Shqiptar, por edhe në disa media të tjera shqiptare për situatën në zonën e luftës. Thuhej se mbrohej pragu i shtëpisë dhe ishte vërejtje me vend se Ushtria e Kosovës po luftonte për çlirimin e vendit dhe jo vetëm për mbrojtje të pragut të shtëpisë”, ka deklaruar dëshmitari, duke shtuar se ky takim ishte mbajtur me në prill ose fillim maj të 1998-ës.

Nuhi Bytyçi: S’dua që Gjykata e ZPS-ja ta përdorin librin tim si dëshmi për t’i akuzuar luftëtarët e lirisë

(E përditësuar 13:22) Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Nuhi Bytyçi ka thënë se nuk dëshiron që Specialja, e sidomos Zyra e Prokurorit të Specializuar, ta konsiderojë librin e tij si dëshmi për t’i akuzuar ish-krerët e UÇK-së.

“Nuk dua që kjo Gjykatë, e sidomos Prokuroria, këtë libër timin ta konsiderojë si një dëshmi për t’i akuzuar luftëtarët e lirisë”, ka thënë dëshmitari derisa po pyetej nga prokurori Matt Halling për librin e tij “Libri i Luftës”.

Dëshmitari ka thënë se gjatë kohës së luftës gjithmonë ka funksionuar e punuar si gazetar i pavarur dhe vullnetar dhe se këtë gjë, sipas tij, e kishte bërë për arsye që shumë kohë të gjatë edhe para luftës, Kosova ishte në terr informativ.

I pyetur se si ka pasur mundësi që të mbajë shënime të gjitha ato data, të cilat përmenden në libër, dëshmitari ka thënë se e ka pasur të vështirë një gjë të tillë, pasi ka qenë gazetar vullnetar dhe jo i akredituar zyrtarisht.

“Fillimisht, të them të drejtën, në ato rrethana të luftës si gazetar vullnetar ashtu si ka qenë edhe Ushtria e Kosovës- ushtri vullnetare e mbështetur nga tërë populli shqiptar, kam pasur shumë vështirësi në punën time. Fillimisht, nuk kam pasur akreditim zyrtar nga Serbia për shkak se edhe unë personalisht nuk e kam njohur shtetin e Serbisë se ka qenë shtet okupues”, ka deklaruar dëshmitari.

Bytyçi gjithashtu ka thënë se edhe në vitin 2019, përkatësisht në vitin kur ai kishte botuar librin, kishte deklaruar se datat apo emrat mund të mos jenë të saktë aty. Kjo ngase sipas tij, nuk ka mundur të mbajë ndonjë ditar të përpiktë ashtu siç mund t’i mbajnë gazetarët në rrethana normale.

“Kam punuar në rrethana të jashtëzakonshme nëpër punkte policore dhe nuk kam pasur mundësi në asnjë mënyrë të mbaj ditar në mënyrë të rregullt, të shënoj datat, të shënoj emrat me të cilët kam kontaktuar, me të cilët kam intervistuar. Kështu, edhe në deklaratën time më 30-31 korrik 2019, kam deklaru se disa data dhe disa emra që janë në libër mund të mos jenë të saktë se mund të mungojë ndonjë emër… për arsyeje se nuk kam mundur të mbaj ditar të përpiktë, ashtu siç mund të mbajnë gazetarët në rrethana normale”, ka deklaruar dëshmitari, raporton Betimi për Drejtësi.

Bytyçi gjithashtu ka shtuar se nuk ka ndodhur asnjëherë të punojë me direktiva të dikujt tjetër.

“Nuk ka ndodhur që të punoj sipas diktatit të dikujt. Edhe në kohën kur kam punuar si gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës kam qenë kundër cezurës dhe në asnjë mënyrë nuk kam lejuar as pas luftës as gjatë luftës që dikush të diktojë në punën time”, ka deklaruar ai.

Ish-gazetari i RTP-së ka thënë se librin e tij para botimit nuk e ka pasur askush tjetër përveç profesionistëve, të cilët janë angazhuar në redaktimin e tij.

“Para botimit, librin tim e kanë parë vetëm redaktorët dhe recensenti i librit. Kuptohet edhe lektorja e librit, kurse as nga Shtabi i Përgjithshëm dhe asnjë qytetar tjetër i Republikës së Kosovës të përgatitur për botim nuk e kanë pas”,ka deklaruar ai.

Ndërsa, pas botimit, ai ka thënë se një kopje të libri ia ka dhënë ish-Presidentit Thaçi dhe Fatmir Limajt.

“Pas botimit, Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ia kam dhuru librin, tjerëve s’e di. Zotëri Krasniqit nuk e di a ia kam dhënë a jo, e di që zotëri Selimit dhe zotëri Veselit nuk ia kam dhuru. Po edhe Fatmir Limajt e pati kërku, ia kam dhuru në zyrën e tij sa ka qenë zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës”, ka theksuar dëshmitari, duke shtuar se nuk ka marrë komente nga ata.

Ndërsa, Halling i ka thënë dëshmitarit se më herët në dëshminë e tij kishte thënë që asnjë kopje të librit nuk ia kishte dhënë asnjërit prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe se tashmë një gjë të tillë po e dëshmon ndryshe.

Megjithatë, dëshmitari ka deklaruar se asnjë kopje të librit nuk e ka dorëzuar para botimit.

Ndryshe, gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë luftë për liri.

Nuhi Bytyçi fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika