Bashkëshortja e ish-presidentit të rrëzuar të Koresë së Jugut është dënuar me 20 muaj burg për pranimin e ryshfeteve nga Kisha kontroverse e Unifikimit.
Megjithatë, gjykata e shpalli të pafajshme 52-vjeçaren Kim Keon Hee për akuzat e manipulimit të çmimeve të aksioneve dhe marrjes së sondazheve falas të opinionit nga një ndërmjetës politik përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022, të cilat i fitoi bashkëshorti i saj, Yoon Suk Yeol, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Yoon është dënuar tashmë me pesë vjet burg për shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë, lidhur me përpjekjen e dështuar për shpalljen e ligjit ushtarak në vitin 2024.
Kjo shënon herën e parë në historinë e Koresë së Jugut që një çift ish-presidencial dënohet njëkohësisht.
Të mërkurën, gjyqtari Woo In-sung në Gjykatën Qendrore të Qarkut të Seulit vendosi se Kim kishte “keqpërdorur pozitën e saj si mjet për përfitime personale”.
“Sa më e lartë të jetë pozita [e dikujt], aq më shumë duhet të ruhet me vetëdije nga një sjellje e tillë… E pandehura nuk arriti të refuzojë kërkesat dhe ishte e përqendruar te zbukurimi personal,” tha gjyqtari.
Ekipi i prokurorit të posaçëm i caktuar për çështjen deklaroi se Kim kishte marrë dhurata në vlerë prej 80 milionë wonësh (56,000 dollarë), përfshirë një gjerdan diamanti Graff dhe disa çanta Chanel, nga Kisha e Unifikimit midis prillit dhe korrikut 2022, në këmbim të favoreve biznesore dhe politike.
Ekipi kishte kërkuar një dënim me 15 vjet burg dhe një gjobë prej 2 miliardë wonësh për të tri akuzat e shqyrtuara të mërkurën – nga të cilat Kim u shpall fajtore vetëm për njërën – por gjyqtari vuri në dukje se Kim nuk ishte ajo që i kishte kërkuar apo solicituar ryshfetet dhe se ajo nuk kishte “precedentë të rëndësishëm penalë”.
Megjithatë, asaj iu urdhërua të kthente 12.85 milionë won në para të gatshme dhe gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e gjerdanit me diamant.
Kim është akuzuar gjithashtu për përfshirje të dyshuar në një skemë për rekrutimin e ndjekësve të Kishës së Unifikimit në Partinë konservatore të Pushtetit Popullor, pjesë e së cilës ishte bashkëshorti i saj, si dhe për pranimin e dhuratave në këmbim të emërimeve në poste qeveritare. Gjykata ende nuk i ka shqyrtuar këto çështje.
Ish-zonja e parë i ka mohuar të gjitha akuzat, duke thënë se ishin “thellësisht të padrejta”, megjithëse pranoi se kishte marrë çanta Chanel, të cilat tha se i kishte kthyer më vonë pa i përdorur.
Ajo bëri një ndjesë publike kur u paraqit për t’u marrë në pyetje në gushtin e kaluar. “Më vjen vërtet keq që një njeri i parëndësishëm si unë u ka shkaktuar shqetësim qytetarëve,” tha ajo.
Hetimet mbi marrëdhëniet e Kim me Kishën e Unifikimit çuan gjithashtu në arrestimin e udhëheqëses së kishës, Han Hak-ja.
Përveç akuzave penale, Kim ka qenë edhe subjekt i polemikave të tjera pasi që vitin e kaluar, Universiteti i Grave Sookmyung anuloi diplomën e saj në edukim artistik, të marrë në vitin 1999, pasi një panel etike konstatoi se ajo kishte plagjiarizuar tezën e magjistraturës.