Izraeli konfirmon armëpushimin

Qeveria e Izraelit ka deklaruar se është pajtuar me propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për armëpushim me Iranin.

Në një deklaratë thuhet se: “Izraeli do të përgjigjet fuqishëm nëse armëpushimi prishet”.

Qeveria izraelite ka thënë se është pajtuar me propozimin e armëpushimit pasi ka arritur “objektivat” e  sulmeve në Iran.

Sipas deklaratës, Izraeli ka hequr “kërcënimin e dyfishtë ekzistencial” të Iranit nga armët bërthamore dhe raketat balistike.

Gjithashtu thuhet se Izraeli “i ka shkaktuar dëme të rënda udhëheqjes ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane”.

Deklarata vazhdon duke thënë se forcat izraelite, në ditën e fundit, kanë “goditur rëndë objektiva qeveritare në zemër të Teheranit, duke eliminuar qindra operativë të Basij” – një milici që qeveria iraniane shpesh e përdor për të shtypur protestat – dhe duke “eliminuar një tjetër shkencëtar të lartë bërthamor’.

“Izraeli falënderon Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në mbrojtje dhe pjesëmarrjen e tyre në eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian”, shton deklarata.

Ndryshe, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë mëngjesin e së martës se një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit është tani në fuqi dhe u ka kërkuar të dyja vendeve të mos e shkelin atë.

“ARMËPUSHIMI TANI ËSHTË NË FUQI. JU LUTEM MOS E SHKELNI!” shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Kur njoftoi pas mesnatës për një armëpushim të plotë për t’i dhënë fund një lufte, siç e quajti ai, 12-ditore, Trump la të kuptohej se Izraeli dhe Irani do të kishin kohë t’i përfundonin misionet që ishin në zhvillim e sipër, pas së cilave armëpushimi do të hynte në fuqi.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan shpërthime pranë Tel Avivit dhe Beershebas në jug të Izraelit, para se armëpushimi të hynte në fuqi.

Ushtria izraelite tha se gjashtë valë raketash u lëshuan nga Irani dhe shërbimi kombëtar i ambulancës në Izrael tha se katër njerëz u vranë në Beersheba, viktimat e para të raportuara në Izrael që nga shpallja e armëpushimit nga Trump.

Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve në Iran, SNN, raportoi të martën në mëngjes se Teherani lëshoi valën e fundit të raketave para se të hynte në fuqi armëpushimi.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump e ka ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi gjatë një telefonate me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe se Izraeli është pajtuar për sa kohë që Irani nuk do të kryente sulme të tjera.

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika