Izraeli nis “operacion të gjerë” për gjetjen e pengut të fundit në Gaza

Izraeli njoftoi të dielën se forcat ushtarake kanë nisur një “operacion të gjerë” për të gjetur pengun e fundit në Rripin e Gazës, në një kohë kur SHBA dhe ndërmjetësues të tjerë po shtojnë presionin që Izraeli dhe Hamasi të kalojnë në fazën e dytë të armëpushimit.

Njoftimi u bë ndërsa kabineti izraelit po diskutonte mundësinë e hapjes së pikës kufitare të Rafahut me Egjiptin, si dhe një ditë pas takimit të kryeministrit Benjamin Netanyahu me të dërguar të lartë amerikanë për hapat e ardhshëm të marrëveshjes.

Kërkesa e Izraelit për kthimin e pengut të fundit, Ran Gvili, shihet gjerësisht si pengesa e fundit për hapjen e Rafahut dhe nisjen e fazës së dytë të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA.

Në një deklaratë të publikuar të dielën vonë, zyra e Netanyahut tha se sapo ky operacion kërkimi të “shterojë” dhe në përputhje me marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara, Izraeli do ta hapë pikën kufitare të Rafahut.

Kthimi i të gjithë pengjeve të mbetur, të gjallë apo të vdekur, është pjesë kyçe e fazës së parë të armëpushimit, i cili hyri në fuqi më 10 tetor. Pengu i fundit para Gvilit u gjet në fillim të dhjetorit.

Ushtria izraelite bëri të ditur se po kryen kërkime në një varrezë në veri të Gazës, pranë të ashtuquajturës “vijë e verdhë”, që shënon zonat nën kontroll izraelit. Një zyrtar ushtarak izraelit, duke folur në kushte anonimiteti, tha se ekziston mundësia që Gvili të jetë varrosur në zonën Shuja’iya–Daraj Tuffah dhe se në terren ndodhen rabinë dhe ekspertë dentarë me ekipe të specializuara kërkimi.

Familja e Gvilit i ka bërë thirrje qeverisë izraelite të mos hyjë në fazën e dytë të armëpushimit pa u kthyer mbetjet mortore të tij.

Ndërkohë, administrata e presidentit Donald Trump ka deklaruar ditët e fundit se faza e dytë e armëpushimit tashmë ka nisur. Izraeli ka akuzuar vazhdimisht Hamasin për vonesa në gjetjen e pengut të fundit, ndërsa Hamasi tha të dielën se ka dhënë të gjithë informacionin që disponon për Gvilin dhe akuzoi Izraelin se po pengon kërkimet në zonat nën kontrollin e ushtrisë izraelite.

Në zhvillime të ndara, selia e mbyllur e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Jerusalemin Lindor u përfshi nga flakët gjatë natës. Ende nuk dihet se kush e shkaktoi zjarrin. Drejtori i UNRWA-s për Bregun Perëndimor, Roland Friedrich, tha se kolonë izraelitë u panë duke grabitur mobilje nga ndërtesa dhe se në gardh ishin hapur vrima.

Komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini, e cilësoi incidentin si “sulmin më të fundit ndaj OKB-së në përpjekjet për të çmontuar statusin e refugjatëve palestinezë”.

UNRWA ofron ndihmë për rreth 2.5 milionë refugjatë palestinezë në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, si dhe për rreth 3 milionë të tjerë në Siri, Jordani dhe Liban. Operacionet e saj u kufizuan vitin e kaluar pasi Knesseti izraelit miratoi ligje që ndalojnë veprimtarinë e saj në territoret që Izraeli i konsideron si pjesë të tij./TheGuardian

Shija e redaktorit

Kosova ndër shtetet themeluese të Bordit të Paqes, nënshkruan Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në themelimin e Bordit të Paqes, iniciativë kjo e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump. Osmani gjatë momentit...

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

Të fundit nga rubrika