Përfaqësuesi i platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, ka mbajtur fjalim para qytetarëve të mbledhur në Prishtinë në kuadër të marshit “Jo në emrin tim”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tasholli tha se protesta e organizuar në Prishtinë tejkalon partitë politike, duke theksuar se qytetarët janë mbledhur për të përcjellë një mesazh në mbështetje të UÇK-së.
“Jemi mbledhur për UÇK-në. Jemi bërë bashkë për të çuar mesazh të rëndësishëm. S’u bëmë bashkë për shkak të partive, jo për shkak të mitingjeve të caktuara, por për ju, sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike”, ka thënë Tasholli.
Ai ka thënë se kontributi për lirinë e Kosovës është dhënë ndër breza, duke e cilësuar UÇK-në si “boshtin kurrizor” të saj.
“Nëse UÇK-ja sulmohet në mënyrën se qysh sot po na servohet si drejtësi, kemi arsye të madhe që të themi se duam drejtësi të barabartë, të drejtë e ato vlera që BE-ja na ka mësuar gjatë gjithë kohës”, është shprehur ai.
Marshi “Jo në emrin tim”, i organizuar nga platforma “Liria Ka Emër”, po mbahet pas një varg protestash të zhvilluara gjatë 15 ditëve të fundit, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.