Jolle së shpejti me “Dinero”

Jolle Bezos është një reper i ri i cili shumë shpejt në skenën muzikore do të vijë me një album

Jolle Bezos i ftuar në emisionin “Drive on D” me Donika Hysenin në Radio Dukagjini

Reperi me emrin artistik Jolle, por që shpesh njihet edhe si Jolle Bezos, i ftuar në emisionin “Drive on D” me Donika Hysenin në Radio Dukagjini, deklaroi se pasioni për muzikën i ka lindur qysh në fëmijëri.

Ai tregon se prej klasës së dytë të shkollës fillore të muzikës ka filluar të mësojë kitarën, por që shija muzikore i ka ndryshuar ndër vite.

Ai e cilëson artistin amerikan, Tyler the Creator si një inspirim, pasi duke parë inkorporimin që ai u bën muzikave rock e jazz me hip-hop, ka bërë që edhe Jolle të interesohet në këtë lloj muzike. Një tjetër inspirim i madh sipas tij është edhe Kanye West.

Jolle foli edhe për përformancën e tij në festivalin Anibar, ku deklaron se nuk e ka pritur të shkojë aq mirë, dhe se beson që nuk do të mund të shkonte më mirë si përformanca e tij e parë.

Deri më tani reperi ka publikuar disa këngë solo, teksa tash është duke punuar në albumin e tij debutues.

“Shumë shpejt kom me lansu single-n e parë të albumit që quhet “Dinero”, pastaj edhe një single ose dy, e pas kësaj do ta lansoj albumin”

Jolle deklaron se asnjëherë nuk ka qenë më lehtë të bëhet muzikë sesa tani, duke theksuar se të gjitha këngët që ai ka punuar kanë qenë në dhomën e tij, me një mikrofon dhe pajisje minimale.

Megjithatë, marketingu dhe lidhjet me industrinë sipas tij janë më të vështira. Reperi pejan ka deklaruar se shumë shpejt do të përformojë edhe në Prishtinë.