Kamberi për shkarkimin e Sinanit: Jo ti, ata humbën gjithçka bashkë me nderin

Ardita Sinani dhe Shaip Kamberi

Ish-deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, njëherit kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ka thënë se kundërshtarët politikë me shkarkimin e kryetares së Preshevës, Ardita Sinani, humbën gjithçka bashkë me nderin.

Kështu ka reaguar ai pas seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga kryetari i kuvendit, Sami Salihu, ku me 20 vota pro, asnjë kundër dhe 18 fletëvotime të papërdorura, është shkarkuar kryetarja e cila kishte mandat dyvjeçar.

“Ata, jo Ti, sot humbën gjithçka bashkë me nderin. Por besoj se mbetet populli ai që më së miri e din peshën e hipokrizisë, vetëmashtrimit e respektit dinjitoz që ata kanë për gënjeshtrën”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Shaip Kamberi dhe Ardita Sinani

Ndryshe, kuvendi i Preshevës të hënën e 11 prillit ka votuar pro shkarkimit të Ardita Sinanit nga posti i kryetares së Preshevës.

Ndërkaq, Sinani, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi.

Ajo ka theksuar se do të punojë për përmisimin e politikës shqiptare në Luginë.

“Faleminderit të gjithëve për përkrahjen. Në Luginë, në Kosovë, në Shqipëri, në Mërgatë. Bashkërisht do ta përmirësojmë degradimin e politikës shqiptare në Luginën e Preshevës”, ka shkruar ajo.

Ardita Sinani

Para shkarkimit, Sinani ishte takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili i kishte ftuar në takim përfaqësuesit politikë të Luginës.

Kurti ka thënë se pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi i rrëzimit të kryetares së Preshevës, Ardita Sinani.

Sipas tij, gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

“Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm, u shpreh kryeministri Kurti, teksa në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejt ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës”, ka thënë Kurti.

Albin Kurti dhe Ardita Sinani

Takimi i Kurtit me përfaqësuesit e këtyre komunave erdhi pas thirrjes së një seance të jashtëzakonshme nga kuvendi komunal i komunës së Preshevës për shkarkimin e kryetares aktuale të kësaj komune.

Në këtë takim morën pjesë, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa.

Përveç tyre, të pranishëm ishin edhe kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri, kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati.

Ndërkaq, pavarësisht ftesës, në takim nuk ishin kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.

Ndryshe, më 10 maj të vitit 2021, Ardita Sinani kishte arritur të zgjedhet kryetare e Preshevës, me 22 vota pro dhe nëntë kundër.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika