Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbështet planin e Trumpit për Gazën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka votuar pro një rezolute të propozuar nga SHBA-ja, e cila miraton planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën.

Një nga elementët kyç të planit është krijimi i një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), për të cilën SHBA-ja thotë se disa vende, që nuk janë të përmendura, kanë ofruar të kontribuojnë. Rezoluta u mbështet nga 13 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Somalinë, ndërsa asnjë vend nuk votoi kundër. Rusia dhe Kina abstenuan.

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, e përshkroi miratimin e rezolutës si “një hap të rëndësishëm në konsolidimin e armëpushimit”.

Hamas kundërshton planin

Hamas ka refuzuar rezolutën, duke thënë se ajo nuk përmbush të drejtat dhe kërkesat e palestinezëve. Në një postim në Telegram, lëvizja deklaroi se plani “imponon një mekanizëm ndërkombëtar mbikëqyrës mbi Rripin e Gazës, të cilin populli ynë dhe fraksionet e tij e refuzojnë”.

Sipas Hamasit, “detyra e forcës ndërkombëtare përfshirë çarmatimin e rezistencës e heq neutralitetin e saj dhe e bën atë një palë në konflikt në favor të pushtimit”.

Sipas rezolutës, ISF do të punojë së bashku me Izraelin dhe Egjiptin, si dhe me një forcë të re policore palestineze të trajnuar dhe të verifikuar, për të siguruar zonat kufitare dhe për të ndihmuar në procesin e çarmatimit të grupeve të armatosura jashtë shtetit, përfshirë Hamasin. Deri tani, policia lokale operonte nën autoritetin e Hamasit.

Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, tha se ISF do të jetë “e ngarkuar me sigurimin e zonës, mbështetjen e çarmatimit të Gazës, çmontimin e infrastrukturës terroriste, heqjen e armëve dhe sigurimin e sigurisë për civilët palestinezë”.

Krijimi i Bordit të Paqes dhe rindërtimi i Gazës

Këshilli i Sigurimit gjithashtu miratoi krijimin e një organi tranzitor të qeverisjes, të quajtur Bordi i Paqes (BoP), i cili do të mbikëqyrë një komitet teknik, apolitik palestinez dhe do të ndihmojë në rindërtimin e Gazës dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare. Financimi për rindërtimin do të vijë nga një fond besimi i mbështetur nga Bankë Botërore.

Trump e përshkroi votimin në Këshillin e Sigurimit si “historik” dhe tha se ishte një mënyrë për të “njohur dhe miratuar” BoP-in, me përbërjen përfundimtare që do të shpallet së shpejti, ndërsa ai pritet ta kryesojë.

Ndryshe nga draftet e mëparshme, rezoluta përmend një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze, një kërkesë për të cilën disa anëtarë të Këshillit kishin insistuar. Megjithatë, Izraeli kundërshton krijimin e një shteti palestinez, duke e bërë këtë një pengesë të madhe për shtetësinë e ardhshme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së theksoi se rezoluta duhet të “shndërrohet në hapa konkretë dhe urgjentë në terren” dhe të çojë në “një proces politik për arritjen e zgjidhjes me dy shtete”.

Përveç SHBA-së dhe Autoritetit Palestinez, disa shtete arabe dhe muslimane si Egjipti, Arabia Saudite dhe Turqia kanë kërkuar miratimin e shpejtë të rezolutës. Autoriteti Palestinez theksoi se masat e rezolutës duhet të zbatohen “urgjentisht dhe menjëherë”.

Rusia dhe Kina abstenuan, duke kritikuar mungesën e qartësisë për përbërjen e mekanizmave kyç dhe mos përfshirjen e OKB-së në mënyrë të qartë, si dhe mungesën e një angazhimi të fortë për zgjidhjen me dy shtete.

Hap i parë i armëpushimit

Faza fillestare e planit, që përfshin armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit dhe dorëzimin e pengjeve dhe të arrestuarve, hyri në fuqi më 10 tetor. Waltz e përshkroi këtë si “hap të brishtë, shumë të brishtë”.

Plani i Trump-it efektivisht ndërpreu luftimet midis Izraelit dhe Hamasit, të cilat kishin shpërthyer pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku humbën jetën rreth 1,200 persona dhe 251 u morën peng.

Sipas ministrisë së shëndetësisë të kontrolluar nga Hamas, më shumë se 69,483 palestinezë kanë humbur jetën nga veprimet ushtarake izraelite në Gaza që nga ai sulm./BBC

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në...

Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat...

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Të fundit nga rubrika