Këshilli për Sport konfirmon hetimet për dyshime në çështjen e kurdisjes së ndeshjeve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), përmes Këshillit të Sportit, ka lëshuar një komunikatë zyrtare lidhur me lajmet e shumta për kurdisje ndeshjesh në futbollin kosovar

Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, i krijuar nga Zyra e Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, ka reaguar pas raportimeve të kurdisjeve të ndeshjeve të zbuluara nga autoritetet franceze.

Këshilli i Sportit ka konfirmuar se në bashkëpunim me organet vendore, autoritetet franceze dhe organizatat ndërkombëtare kanë nisur hetimet për dyshime për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës.

“Me kërkesën e Këshillit për Sport, prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës, është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, Këshilli i Sportit ka thënë se nuk mund të japë detaje, të cilat, sipas tyre, mund të dëmtojnë hetimin.

Më tej, nga ana e tyre thuhet se do të vazhdojë angazhimi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.

“Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve të tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive”, thuhet tutje në reagimin e MKRS-së.

Ndërsa, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka thënë se së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohen me UEFA-n dhe organet e tjera ndërkombëtare, për të hetuar raportet e trukimeve të ndeshjeve të publikuara nga mediat franceze të enjten.

Të paktën katër ndeshje të elitës së futbollit në Kosovë u raportua të enjten se janë manipuluar për qëllime përfituese me bazë në Francë dhe Kosovë.

Kështu kishte njoftuar Juridiksioni i Specializuar Ndërrajonal i Nancyt (JIRS), i cili merret me luftimin e krimit të organizuar dhe krimeve financiare, shkruan mediumi i njohur francez Le Figaro.

“Shërbimi Qendror i Garave dhe Lojërave ka hetuar për gati një vit korrupsionin sportiv dhe mashtrimin e organizuar që përfshin një klub futbolli të elitës së futbollit në Kosovë”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Gazeta e madhe franceze, Le Parisien, e ka bërë të ditur emrin e ekipit futbollistik kosovar, i cili dyshohet për trukime të ndeshjeve.

Aty shkruhet se ekipi i Llapit të Podujevës është ekipi i dyshuar për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në Superligën e Kosovës në futboll.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika